Libani dhe Iraku duan të qëndrojnë të papërfshirë
Sipas disa raporteve, Libani dhe Iraku i kanë kërkuar Iranit t’i mbajë larg përshkallëzimit aktual me Izraelin. Nëse Irani e përshkallëzon konfliktin, mund të ndodhin sulme kundër bazave ushtarake amerikane në Shtetet e Gjirit ose në Irak. Irani ka ndërtuar struktura të mëdha.
Irani është vendi me ndikim më të madh në Irak dhe ushtron kontroll mbi disa milici shiite. Megjithatë, sulmet ndaj ushtarëve amerikanë do ta detyronin Presidentin e SHBA-së Donald Trump të ndërmarrë veprime ushtarake, diçka që Irani duket se dëshiron ta shmangë.
“Deri tani, Irani ka përdorur vetëm raketat dhe nuk ka përdorur mjete të tjera presioni”, thotë gazetari Amin Qamouriyeh. “As Ngushtica e Hormuzit nuk është mbyllur, furnizimet me naftë vazhdojnë dhe asnjë bazë ushtarake amerikane nuk është sulmuar. E gjithë kjo mund të ndodhë në një fazë të dytë, varësisht nga mënyra se si do të zhvillohen ngjarjet”.
“Raketat nuk i zgjidhin problemet”
Vëzhguesit janë optimistë të kujdesshëm për mundësinë e një zgjidhjeje të negociuar midis Izraelit dhe Iranit në ditët në vijim. Vetë Presidenti i SHBA-së Donald Trump ka folur për një marrëveshje të mundshme. Megjithatë, shumë ekspertë pajtohen se forca ushtarake dhe shfaqjet e fuqisë nga Izraeli nuk do të sjellin paqe të qëndrueshme në rajon. Ose, siç e thotë komentatori libanez Chatah: “Raketat nuk i zgjidhin problemet”.
/A.Ossius/ARD