Si u bë Kurti ‘nga duaje tënden në armikun kryesor të bizneseve’? – Shahini: Prodhuesit vendor e kanë humbur mbështetjen nga shteti

Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit (AKB), Agim Shahini në një intervistë për Periskopin, teksa foli për shqetësimin e ngritur se Qeveria e Kosovës në bashkëpunim me Bankën Qendrore kanë bllokuar kreditë për bizneset, është shprehur ndër të tjera edhe i habitur se si ka ndryshuar qasja e VV’së me këto biznese për dallim nga e kaluara.
I pyetur se si ndodhi që Kurti ‘nga duaje tënden u bë armiku më i madh i bizneseve’, Shahini thotë se “fatkeqësisht sot prodhuesit vendor e kanë humbur mbështetjen nga shteti”.
“Ne jemi duke u habitur se cka ka ndryshuar dhe pse po ndryshon. Ne si AKB e kemi pasur mision nga 2003 që vërtetë të duash prodhimin vendor, ta mbështetësh atë, ta konsumosh prodhimin vendor duke u bërë pjesë e zhvillimit ekonomik.
Kemi bërë me qindra-mijëra kilometra, qoftë brenda apo jashtë Kosovës, për të ngritur vetëdijen qytetare, konsumuese për mbështetjen e ekonomisë vendore. Këtë e kemi arritur edhe partitë politike, ndër to edhe Vetëvendosjen. Nga misioni jonë ka marrë dhe ka promovuar misionin që “Duaje tënden”. Dhe, ne kemi qenë mbështetës të cdo iniciative, kutdoqoftë për të mbështetur prodhimin vendor. Kanë mbështetur edhe partitë tjera këto iniciativa tona të përbashkëta sepse kanë qenë me ngjyrë ekonomike dhe do të mbeten të tilla.
Sot, prodhuesit vendorë e kanë humbur mbështetjen prej shtetit – mbështetja e jonë mbetet e njëjtë, por kur shteti nuk të përkrah është e jona pak më e vogël. Tash nëse nuk do t’i mbështet as bankat komerciale, prodhuesit vendor do të jenë në një situatë për të humbur fuqinë e vetë prodhuese dhe Kosova do të jetë një nga vendet dhe konsumatorët më të fuqishëm në Ballkanin Perëndimorë për prodhimet e huaja”, deklaroi Shahini për Periskopin.
Ndiqni pjesë të intervistës së z. Shahini dhënë për Periskopin: