Konstituimi i Kuvendit: Partitë politike konfirmojnë pjesëmarrjen në takimin me Kurtin

Konstituimi i Kuvendit: Partitë politike konfirmojnë pjesëmarrjen në takimin me Kurtin

Sot nga ora 16:00 pritet që të mbahet takimi i përbashkët mes partive politike, i thirrur nga kryeministri në largim, Albin Kurti pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese e cila ka obliguar subjektet politike që ta konstituojnë Kuvendin e Kosovës jo më vonë se pas 30 ditëve.

Kurti në një shkrim në rrjetin social Facebook konfirmoi se u është drejtuar partive politike.

“Si kryetar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe në emër të grupit më të madh parlamentar të dalur nga zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, sot u jam drejtuar të gjithë krerëve të subjekteve të përfaqësuara në legjislaturën e nëntë, me ftesë për takim të përbashkët të shtunën (nesër) në orën 16:00, në përpjekje të radhës në funksion të konsensusit për konstituim të Kuvendit” – tha ai.

Nuk dihet se cilat do të jenë kërkesat apo qëndrimet e këtij të fundit, megjithatë, pjesëmarrjen e kanë konfirmuar tashmë partitë politike.

Memli Krasniqi do ta përfaqësojë Partinë Demokratike të Kosovës, siç u bë me dije nga deputeti i saj, Përparim Gruda.

“Kryetari jonë, z. Krasniqi e përfaqëson partinë në takim dhe qëndrimet që dalin pas atij takimi i shpreh kryetari” – tha ai.

Po ashtu, deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka konfirmuar pjesëmarrjen e kësaj partie, megjithëse nuk ka treguar se nga kush do të përfaqësohet.

“LDK-ja do të marrë pjesë nesër në takim pavarësisht mungesës së bashkëpunimit nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje vetëm para pesë minutave Kurti s’e mori mundin që prej sallës plenare me ardhë deri te salla numër 10 në takimin ku ishin prezentë të gjithë liderët e partive politike” – ka thënë ajo të premten.

AAK do të përfaqësohet nga Time Kadrijaj, derisa kreu i saj, Ramush Haradinaj e quajti ftesën “të palogjikshme”.

Kreu i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj ka konfirmuar se do të marrë pjesë në takimin e thirrur nga kryeministri në largim, Albin Kurti.

Limaj përmes një shkrimi në Facebook, ka thënë se Kushtetuesja e ka bërë të qartë se zgjedhja e kryetarit të Kuvendit është proces që kërkon marrëveshje politike.

“Kjo është ajo që ata presin dhe kjo është ajo që ata meritojnë!

Prandaj, nesër do të jem në tryezën e thirrur nga kryetari i Vetëvendosjes, me po të njëjtin qëndrim që kam pasur që nga dita e parë: Kosova ka nevojë për marrëveshje, jo për teatër politik. Për lidership, jo për kalkulime.

Rruga që ne e propozuam, sot po bëhet e pashmangshme.

Nga qëndrimi i drejtë, tek zgjidhja që po pranohet.

Ne kemi qenë të gatshëm për zgjidhje. Dhe kjo është ajo që do të ofrojmë përsëri” – ka thënë Limaj./Periscope/

# Lajme
# Sport
# Op-ed
# Video
# Zoya
# Showbiz
# Auto&Tech
# Shëndeti