WSJ: Dhëndri i Trumpit tërhiqet nga planet për ndërtim të kompleksit luksoz në Serbi

Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan, Donald Trump, është tërhequr nga planet për të ndërtuar një kompleks luksoz në Beograd, siç raporton Wall Street Journal.
Kompania e Kushnerit “Affinity Partners” kishte plane për të ndërtuar kompleksin luksoz në zonën ku gjendet objekti i ish-Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë, i shkatërruar gjatë bombardimeve të NATO-s më 1999.
“Meqë projektet madhore duket të bashkojnë dhe jo të krijojnë ndasi, dhe për shkak të respektit për shtetasit e Serbisë dhe Beogradit, po e tërheqim aplikimin tonë dhe po tërhiqemi këtë herë”, ka thënë një zëdhënës i kompanisë së Kushnerit, sipas Wall Street Journal.
Lajmi vjen në ditën kur Zyra e Prokurorit Publik për Krim të Organizuar ka ngritur aktakuzë kundër ministrit aktual të Kulturës, Nikolla Sellakoviq, lidhur me veprimet që konsiderohen ilegale në heqjen e statusit të objektit të mbrojtur për ndërtesën e ish-Shtabit të Përgjithshëm në qendër të Beogradit.
Sellakoviq akuzohet për shkelje si abuzim të pozitës zyrtare dhe falsifikim të dokumenteve zyrtare.
Zyra e Prokurorit për Krim të Organizuar ka kryer hetime prej majit rreth dyshimeve për falsifikim të dokumenteve në bazë të të cilave Qeveria e Serbisë e ka tërhequr statusin e objektit të mbrojtur për ndërtesën e ish-Shtabit të Përgjithshëm në Beograd.
Sipas dyshimeve të mëparshme të Zyrës së Prokurorit, Drejtori i Institutit për Mbrojtjen e Objekteve Kulturore, Goran Vasiq, e ka pranuar se janë falsifikuar dokumente./Periskopi/
