Mashtrim e abuzim me tenderë: 12 të akuzuar për dëmtim të buxhetit të shtetit gati 4 milionë euro

Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj 12 personave fizikë dhe tre personave juridikë për veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”,“Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik“ dhe “Falsifikimi i dokumenteve“.
Sipas aktakuzës, të pandehurit persona fizikë: N.D., A.M., A.B., Xh.B., M.Z., F.D., F.Z., A.Sh., M.L., D.L., A.B., I.E., dhe të pandehurit persona juridikë: “A&F P. Sh.p.k”, “S. Sh.p.k”, ”Sh.G Sh.p.k”., kanë keqpërdorur detyrën zyrtare, kanë falsifikuar dokumente dhe kanë mashtruar në procedurat e prokurimit publik me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror.
Bazuar në aktakuzë, të pandehurit A.M, N.D., nga 2 prilli i vitit 2019 e deri më 11 mars 2021, në cilësinë e personave zyrtarë pranë MASHT-it, kanë hartuar kritere përzgjedhëse në procedurat e tenderimit “Blerja e pakove të pajisjeve të nevojshme për fusha lëndore dhe mirëmbajtje”, të cilat favorizonin operatorin fitues dhe përjashtonin padrejtësisht operatorë të tjerë. Si pasojë e këtyre veprimeve, është shkaktuar dëm i përgjithshëm në buxhetin e shtetit në vlerë prej 1,824,970.00 euro.
Nga ana tjetër, sipas aktakuzës, të pandehurit:, A.B., Xh.B., M.Z., N.D. dhe A.M., nga 26 tetori 2020 deri më 27 nëntor 2023, në cilësinë e personave zyrtarë pranë MASHT-it, në kundërshtim me Ligjin për Prokurimin Publik, kanë kontraktuar produkte me çmime deri në 1900% më të larta se ato të tregut duke i shkaktuar buxhetit dëm prej 2,148,282.35 euro.
Gjithashtu, në kundërshtim me kushtet e kontratës, kanë lejuar dorëzimin e produkteve me origjinë nga Kina dhe Turqia në vend të produkteve me origjinë nga Bashkimi Evropian, siç ishte përcaktuar në kontratë. Si pasojë e këtyre veprimeve, është shkaktuar dëm i përgjithshëm në buxhetin e shtetit në vlerë prej 3,626,243.80 euro.
