Do fjalë për Zanat, apet.

Shkruan: Liridona Sijarina
E pashë mramë nji deklaratë të shkëputun prej emisionit Zanat me titullin “Gratë shqiptare atë që e kanë pësu prej serbëve, e kanë pësu para l*ft3 prej shqiptarëve”. Titulli nuk i gjegjet taman-taman mënyrës qysh artikulohet njana prej panelisteve në atë gazephane, po sidoqoftë, për efekte skandalizuese, zaptohet nga redaksia e tyne në nji qiso fjalie që synon me mobilizu vëmendje përmes shokimit. Tuj qenë që politikat redaktoriale të emisionit, e shohin të udhës me e qitë nji qaso përthekimi, pe marr jo veç deklaratën gojore, po edhe citimin si referencë me shkru për to. Gjithësesi, prej zori.
Është e llahtarshme me e pa e ni nji barazim të tillë të nji politike të sponzorizume nga shteti gjenocidal i Serbisë që e ka përdorë dhunën seksuale si mjet lufte përmes të cilit ka dashtë me na faru si popull, me dhunën seksuale që ju bahet vajzave e grave. Dhuna seksuale është njana prej prej formave më të egra e pushtuese të abuzimit që ju bahet vajzave e grave në Kosovë. Si e tillë, është njana prej shqetësimeve ma të mëdhaja që i ka artikulu zëshëm lëvizja feministe kosovare ndër vite. Feministet, ku hi edhe unë, e shohin këtë dhunë, si manifestim sistemik i patriarkalitetit që kontrollon e nënshtron gra. Tuj qenë kështu, kritika zgjatet e shpesh koncentrohet në nivel shoqnor e shtetnor. Po, edhe kur shtrohet si kritikë totalizuese, ajo është e ndjeshme ndaj njohjes së kapacitetit normëzues që patriarkaliteti ka pasë historikisht në ndërtimin e trupave dhe qenësive të grave si “njerëz të rendit të dytë” e herë-herë, edhe prona të burrave. Mirëpo, në asnji mënyrë nuk mundet nji manifestim i dhunës seksuale ndaj grave me u barazu me nji politikë të mirëorganizume, të financume dhe me qëllime shfaruese. Aq ma pak që nji artikulim i tillë me u fabriku si nji analizë gjinore që tenton me ndërtu kritikë shoqnore për patriarkalitetin. Nji artikulim i tillë duhet me u lexu veç si nji banalitet i spektaklit që mun me të marrë n’qafë si kauzë, dhe si i tillë duhet kundërshtu.
Gjithësesi, deklarata e masipërme, nuk duhet me u pa si e veçme, po me u analizu në kontekstin ka kah dalë. Çka e bon ata ma problematike është se ky artikulim nuk vjen në vakuum, po në fakt vjen si standardi që ai emision e ka vendosë në komunikimin publik. Paçka se deklarativisht e shet “edukimin feminist” si objektiv që del pak si harrnim i lodhtë i fjalëve që shtirë rehatohen ngjit me njana-tjetrën, ai emision, kurdo që m’del përpara, e ka performon “shokimin” dhe “skandalizimin” si strategji kyçe përmes së cilës tenton me dhezë. Pra, metodologjinë e njëjtë të emisioneve prime-time ku mlidhen burra që n’ven që me dalë me pi kafe, t’çjerrunat e dhunshme i bajnë n’sy t’dyjesë (nejse, e do robi me u ba kurban për pare të majme, po temë tjetër kjo).
Problemi jem kryesor me Zanat qëndron në shpërdorim dhe komodifikim të lëvizjes dhe kauzës feministe dhe damin që bajnë. Tregtimi i çdo logjike, ndjesie të drejtësisë, argumenti, a ideologjie për numra e përfitime është acarues. Aty çdo teori e përpjekje feministe bahet lakën me nji gjuhë të ambalazhume si feministe. Këto “boss women” që ngjyjnë kapak në liberalizem, kapak në konservatorizëm, e kapak në njifarë “radikalizmi” që s’i kish ra në fije as Shulamith Firestone, i kapin temat “më tabu” dhe i qesin në tavolinë për me i zbrazë komplet prej përmbajtjes dhe kapacitetit transformues që mujnë me pasë biseda publike të njimendta për çashtje barazie. Të drejtume prej nji logjike që duket se tenton me e nënvizu komunikimin publik si njifarë deklarimi megaloman që “ato/a guxojnë”, zanat që dalin prej aty, punojnë fort me eklipsu krejt punën feministe që është ba deri tash që me pasë ymyt për nji shoqni ma t’drejtë e ma t’mirë edhe për gra e subjekte tjera të shtypuna.
Ma tej, efekti që e prodhon ky emision i bon të drejtat e trupat e vajzave, grave e grupeve të tjera ma të cënueshme subjekt të opinioneve, disponimeve e qejfeve për t’nxjerrë përfitime mbi trupa njerëzish. Me këtë stilin e shpërdorimit mediokër të “diversitetit të opinioneve”, ky emision punon diskursivisht që me e shpartallu nji konsensus normativ të të drejtave, tuj i trajtu dinamikat e pushtetit, trupat e grave e kauzën si preferencë dhe çështje e opinionit personal. Pazari që bahet aty, realisht kushton shumë. Nuk mundet me u normëzu ideja që qenësia grave, personave queer, e grupe tjera t’cënueshëm janë çështje opinioni. Nuk mundet me u folë për të drejta t’njeriut, thu ti jena tuj folë për naj pemë që dikujt i pëlqen, e dikujt jo. Këto manovrime janë të rrezikshme për kontekstin dhe kohën politike në të cilën ky lloj ligjërimi po del në televizion.
Për hesap temin, ky emision as nuk o feminist, as nuk o edukues, as nuk o çlirues. Thjesht nji ndërmarrje tjetër që për përfitime kapitaliste, e sendëzon nji kauzë të tanë dhe e shndërron atë në mall që e shet në treg, me sa më shume sponzorizime që mrrin me kapë.
Në fund krejt, për këdo që mund t’thotë gjana të tipit që nuk ka autoritet që tregon se çka është feministe e çka jo, kaloni në ndonji sportel tjeter, ju lus.
