Haziri: Herët a vonë, të gjithë kryeministrat kalojnë kah zyrat e LDK-së

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, në emisionin “Reel Talk me Maxhunin”, i cili transmetohet në Periskopi dhe T7, ka thënë se Kuvendi i ardhshëm i kësaj partie do të jetë unifikues dhe se në të ardhmen do të ketë garë se kush qeverisë më mirë.
Haziri ka deklaruar se kauza e LDK-së do të vazhdojë të jetë ruajtja e Republikës së Kosovës.
“Në asnjë mënyrë, nuk ka asnjë logjikë, nuk na e lejon të shkojmë jashtë kulturës që e ka LDK-ja: unifikim dhe qartësim të rrugës para nesh. Mandati politik i LDK-së është edhe dy vjet të tjera. Ne duhet ta vazhdojmë kauzën politike për ta ruajtur këtë republikë dhe ta bëjmë garën se kush po qeverisë më mirë, sepse në Kosovë është ndërtuar një narracion i keq se kush po qeverisë më keq, e nuk po flitet për qeverisje të mirë. Kur del e thuhet se një ministër i VV-së është i akuzuar për mashtrim të popullit, ata thonë ‘ata kanë vjedhur më shumë’. Kjo është luftë se kush po e bën më keq. VV po thotë se vjedhje ka pasur, por ‘ata kanë vjedhur më shumë’.
Për këtë duhet të luftojë LDK-ja, jo në garën se kush e ka bërë më keq. Këtë herë LDK-ja nuk i ka bindur qytetarët, por ne do të punojmë dhe do të tregojmë se si bëhet më mirë”, ka thënë Haziri.
Ish-kreu i Komunës së Gjilanit është ndalur edhe te fraza e vjetër se të gjithë kryeministrat kalojnë kah zyrat e LDK-së.
“Herët a vonë, të gjithë kalojnë kah zyrat e LDK-së. Ata që mendojnë ndryshe, nxjerrin në sipërfaqe arrogancë politike. Albin Kurti është bërë kryeministër përmes zyrës së LDK-së. Vetëm PAN-i e ka bërë një kryeministër pa LDK-në. Vitin e kaluar tentuan ta bëjnë pa LDK-në, por nuk arritën”, ka thënë Haziri./Periskopi/
