Kurti takon kryediplomatin norvegjez në Mynih- detaje çka diskutuan

Në ditën përmbyllëse të Konferencës së Sigurisë në Mynih, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një takim me Ministrin e Punëve të Jashtme të Norvegjisë, Espen Barth Eide.
Temë qendrore e takimit ishte thellimi i marrëdhënieve bilaterale dhe eksplorimi i mundësive ekonomike që ofron marrëveshja e EFTA-s. Sipas njoftimit zyrtar, palët diskutuan gjerësisht për sektorët me interes të përbashkët, duke veçuar ekonominë, teknologjinë, energjinë, si dhe fushën e minierave dhe mineraleve.
Gjatë bisedës, kreu i qeverisë thuhet se prezantoi planet për projektet kapitale të këtij mandati, veçanërisht në infrastrukturë kritike, transport dhe sport, duke i cilësuar ato si mundësi të favorshme për investitorët e huaj.
“Kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen për miqësinë, kontributin dhe mbështetjen e Norvegjisë ndaj Kosovës dhe mbështetjen e Norvegjisë për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.
