Nesër deklaratat hyrëse në rastin ndaj Thaçit e të tjerëve për pengim të drejtësisë

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, nesër do të zhvillohen deklaratat hyrëse në rastin ndaj Hashim Thaçi, Bashkim Smakaj, Isni Kilaj, Fadil Fazliu dhe Hajredin Kuçi, të cilët përballen me akuza për pengim të drejtësisë.
Seanca është caktuar të nisë në orën 09:30 dhe të përmbyllet rreth orës 16:00.
Sipas aktakuzës, Thaçi bashkë me të akuzuarit e tjerë dyshohet se kanë vënë në dispozicion informacione konfidenciale që lidhen me dëshmitarë, si dhe kanë dhënë udhëzime për ndërhyrje në dëshmitë e tyre. Prokuroria pretendon se këto veprime kanë synuar të ndikojnë në rrjedhën e procesit gjyqësor.
Të pesë të akuzuarit janë vetëdeklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë.
Pas përfundimit të deklaratave hyrëse, Prokuroria do të vijojë me paraqitjen e provave para trupit gjykues.
