Politikani i SPD-së, Ahmetoviq, zëdhënës i politikës së jashtme për grupin e tij parlamentar, u distancua nga kjo deklaratë e kancelarit: “Qëllimi kryesor në këtë situatë shumë të ndjeshme është deeskalimi. Toni i kancelarit nuk është shumë i dobishëm në këtë pikë”, tha ai.
Kolegu i tij i SPD-së, Ralf Stegner, i tha Der Spiegel: “Kur kancelari thotë se Izraeli po bën punën tonë të pistë në Iran, kjo është më shumë se e çuditshme.”
“Komente injorante”
Opozita ishte edhe më e qartë. Raportuesja e të Gjelbërve përLindjen e Mesme dhe Iranin, Luise Amtsberg, kritikoi si zgjedhjen e fjalëve ashtu edhe përmbajtjen e deklaratës së Merz. Ajo tha: “Në vend të komenteve cinike dhe injorante nga kancelari, pres që Qeveria federale të bëjë gjithçka që mundet për të ulur shkallëzimet në këtë situatë të tensionuar.”
Politikani i Partisë së Gjelbër, Anton Hofreiter, i tha Welt TV: “E konsideroj zgjedhjen e fjalëve të ngathët.” Në Iran, 80 deri në 90 për qind e njerëzve janë kundër regjimit islamist, por shtoi se “nga sulmet e Izraelit në Iran po vdesin edhe civilët”.
Pellmann: “Një skandal”
Kreu i grupit parlamentar të Partisë së Majtë, Sören Pellmann, kritikoi edhe më ashpër: “Fakti që kancelari Merz tani po e hedh poshtë ligjin ndërkombëtar dhe po përqafon logjikën shkatërruese të ‘të drejtës së më të fortit’ është një skandal dhe dëmton në mënyrë masive reputacionin e Gjermanisë në Kombet e Bashkuara dhe më gjerë”.
Deklaratat e Merz ishin një refuzim i sundimit të ligjit dhe normave ndërkombëtare. “Shumica prej nesh ndoshta ende nuk e dinë se ku mund të përfundojë kjo”, tha Pellmann për dpa.
AfD: “Mungesë respekti dhe dëmtim”
AfD e quajti deklaratën e Merzit si “mungesë respekti dhe dëmtuese për reputacionin e Gjermanisë”. “Kontributi aktiv në luftë nuk është në interes të Gjermanisë apo të Evropës”, kumtuan Alice Weidel dhe Tino Chrupalla.
“Politikanët e Evropës duhet të mbrojnë qytetarët e tyre nga efektet negative të konfliktit në Lindjen e Mesme, siç janë lëvizjet e migracionit ose sulmet dhe të kontribuojnë me diplomaci në vendosjen e paqes.”
BSW: “Standarde të dyfishta”
Kryetarja e BSW, Sahra Wagenknecht, foli për një deklaratë të paprecedentë. Merz “legjitimon në mënyrë të paturpshme një luftë agresioni që shkel ligjin ndërkombëtar, e cila tashmë ka marrë jetën e qindra civilëve në Iran”, tha Wagenknecht. Kjo është një thyerje e traditës së moderimit të politikës së jashtme.
Deklaratat e Merz shkaktuan mosbesim edhe në komunitetin gjermano-iranian.
“Z. Merz, Ju nuk jeni prekur fare nga ky regjim. Para së gjithash, ata që preken janë 80 milionë njerëzit në Iran që kanë jetuar nën shtypjen vdekjeprurëse të këtij regjimi për 46 vjet”, shkroi gazetarja Gilda Sahebi në Instagram. Ajo shtoi se qeveria izraelite nuk po bënte “punën e pistë”; kjo ishte puna e shumë njerëzve që po i rezistonin atyre në pushtet. “Këta njerëz tani po bombardohen.”/Periskopi/