Jep dorëheqje shefja e kabinetit të ministrit në detyrë, Faton Pecit

Shefja e kabinetit të ministrit në detyrë të Bujqësisë, Faton Peci, Flutur Mustafa, ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë.
Këtë e ka bërë të ditur vetë Mustafa përmes një postimi në Facebook.
“Pas një angazhimi intenziv 4- vjeçar, fillimisht si Këshilltare Politike dhe Zëdhënëse e pastaj edhe si Shefe e Kabinetit në Ministrinë e Bujqësisë, para Ministrit në detyrë Faton Peci, sot ( 27.06.2025) kam paraqitur dorëheqjen time”, ka thënë ajo.
Që nga dita e parë, ka thënë ajo, ka dhënë maksimumin që detyrën ngarkuar ta kryejë me përkushtim të plotë, ndershmëri bazuar në kërkesat e eprorit të saj.
“Kam dhënë më të mirën time, dhe njëkohësisht kam mësuar më shumë nga ç’ mund ta përfytyroja, përvojë kjo e cila më ka rritur si profesionalisht ashtu edhe në aspektin njerëzor. E kam marrë këtë vendim me bindjen se tani është momenti për të hapur një faqe të re në jetën time, në përputhje me zhvillimin tim personal dhe qëllimet e mia për të ardhmen”- ka thënë ajo në Facebook.
Mustafa në fund ka falënderuar ministrin Peci dhe stafin e kabinetit për bashkëpunimin dhe mbështetej, duke shtuar se kjo nuk është një shkëputje lamtumirëse sepse, siç ka thënë ajo më tej në postim, bashkë do të shihemi në arena të tjera, ku kontributi për Kosovën mbetet parësor./Periskopi/