“Hidrodrini” në grevë për shkak të pagave

“Hidrodrini” në grevë për shkak të pagave

Shoqata Sindikale e Punëtorëve të KRU “Hidrodrini” ka filluar sot grevën e paralajmëruar njëorëshe.

Greva paralajmëruese është realizuar me pjesëmarrjen e mbi 100 punëtorëve, gjatë së cilës janë paraqitur dhe prezantuar kërkesat zyrtare të Sindikatës, si dhe janë sqaruar publikisht dhe në mënyrë transparente të gjitha veprimet dhe hapat ligjorë të ndjekur nga Sindikata deri në fillimin e kësaj greve.

“Hidrodrini” ka theksuar se procesi i negociatave për rritjen e pagave ka filluar më 23.10.2025, në përputhje me obligimet ligjore për dialog social, dhe se rrugët e dialogut dhe negocimit mbeten të hapura, brenda kompetencave dhe kushteve tashmë të njohura për palët përfshirëse, përkatësisht Sindikatën, menaxhmentin e KRU “Hidrodrini” Sh.A., Ministrinë përgjegjëse dhe Qeverinë e Kosovës.

“Po ashtu, Shoqata Sindikale njofton se greva është përkrahur me nënshkrim nga shumica e punëtorëve, duke tejkaluar pragun ligjor prej 1/3 të punonjësve, ashtu siç kërkohet shprehimisht nga legjislacioni në fuqi, çka konfirmon ligjshmërinë e plotë të kësaj greve si në aspektin formal, ashtu edhe në atë material. Për garantimin e rendit publik, sigurisë dhe mbarëvajtjes së aktivitetit sindikal, gjatë zhvillimit të grevës ka qenë e pranishme edhe Policia e Kosovës, në përputhje me kompetencat e saj ligjore”, thuhet në njoftim.

“Greva paralajmëruese vazhdon më 18.12.2025 dhe në ditët në vijim, në orarin e njëjtë, nga ora 09:00 deri në 10:00, në të gjithë njësitë operative përfshire: Istog, Klinë, Deçan dhe Junik si dhe para Zyrës Qendrore të KRU“HIDRODRINI”Sh.A deri në ndërmarrjen e hapave konkretë për adresimin e kërkesave të punëtorëve ose deri në një njoftim tjetër zyrtar nga Këshilli i Grevës”./Periskopi/

# Lajme
# Sport
# Op-ed
# Video
# Zoya
# Showbiz
# Auto&Tech
# Shëndeti