Bajraktari: Trump ka nënshkruar ligjin 901 miliardë dollarësh për programet e mbrojtjes, është e përfshirë edhe Kosova

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka nënshkruar Ligjin për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare (NDAA), një dokument strategjik që autorizon mbi 901 miliardë dollarë për programet e mbrojtjes amerikane dhe që përfshin edhe Kosovën. Ky veprim shihet si një sinjal i qartë i angazhimit të vazhdueshëm të SHBA-së për sigurinë e Kosovës dhe stabilitetin e Ballkanit Perëndimor.
Lajmin e ka bërë të ditur veprimtari shqiptaro-amerikan Harry Bajraktari, i cili ka theksuar se përfshirja e Kosovës në këtë ligj dëshmon peshën që Shtëpia e Bardhë dhe Kongresi amerikan i japin rolit të Kosovës në arkitekturën e sigurisë rajonale.
Sipas Bajraktarit, mesazhi i Uashingtonit është i drejtpërdrejtë: paqja, stabiliteti dhe e ardhmja demokratike e Kosovës përbëjnë interes strategjik të Shteteve të Bashkuara.
“Ky ligj nuk ka karakter simbolik, por përfaqëson një garanci politike dhe strategjike për mbrojtjen e integritetit territorial, sovranitetit dhe orientimit pro-perëndimor të Kosovës, nën përkrahjen e aleatit kryesor – Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, ka shkruar Bajraktari, i cili ka ndarë edhe pikat kryesore të ligjit për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare:
– Mbështet zgjerimin e NATO-s në Ballkanin Perëndimor, duke përfshirë edhe perspektivën e anëtarësimit të Kosovës në Aleancën Veriatlantike
– Mbështet qartë marrëveshjen për normalizim Kosovë–Serbi dhe kërkon zbatim real të saj.
– Konfirmon se qëllimi final është njohja reciproke
– Refuzon çdo ide për ndarje, shkëmbim territoresh apo ndryshim kufijsh mbi baza etnike.
– Forcon mbështetjen amerikane për demokracitë e Ballkanit Perëndimor dhe për procesin e anëtarësimit të tyre në Bashkimin Evropian
Bajraktari ka theksuar se Kosova ka një shans historik të ecë përpara, e mbështetur në një partneritet të palëkundur me Shtetet e Bashkuara, që ka qenë dhe mbetet themeli i lirisë, pavarësisë dhe perspektivës sonë si shtet demokratik.
