Truku magjik, ja si peshqirët të mos mbajnë më erë lagështie edhe pas larje

Truku magjik, ja si peshqirët të mos mbajnë më erë lagështie edhe pas larje

Pse detergjenti nuk mjafton dhe çfarë e rikthen freskinë

Tharja e peshqirëve gjatë dimrit shpesh është një betejë e vogël me lagështinë, ajrosjen e dobët dhe kohën e gjatë të tharjes. Rezultati është ajo erë e njohur, e rëndë myku, që mbetet edhe pas larjes. Megjithatë, lajmi i mirë është se peshqirët nuk keni pse t’i hidhni, as të blini preparate të shtrenjta. Zgjidhjen e keni tashmë në kuzhinë.

Nëse makina larëse është e pastër dhe pjesa tjetër e rrobave ka erë normale, problemi nuk është te pajisja, por te vetë fibrat e peshqirëve, të cilat me kalimin e kohës mbajnë lagështirë, mbetje detergjenti dhe baktere. Pikërisht këtu hyjnë në lojë uthulla e bardhë dhe soda e bukës.

Pse peshqirët marrin erë lagështie

Peshqirët janë të trashë, thithin sasi të mëdha uji dhe thahen ngadalë, sidomos në dimër. Kur mbeten edhe minimalisht të lagësht, krijojnë kushte ideale për zhvillimin e baktereve që prodhojnë erën e pakëndshme, të mykur. Një problem shtesë është përdorimi i tepërt i zbutësit, i cili vesh fibrat dhe pengon shpëlarjen dhe tharjen e plotë.

Për këtë arsye ndodh që peshqiri të duket i pastër, por sapo laget, era e pakëndshme të aktivizohet sërish. Këtu detergjenti i zakonshëm shpesh nuk mjafton, transmeton Telegrafi.

Si ta largoni saktë erën me uthull dhe sodë

Hapi i parë është larja e peshqirëve në ujë të nxehtë me shtimin e një filxhani uthull të bardhë, pa asnjë detergjent. Uthulla shpërbën mbetjet e detergjentit dhe neutralizon bakteret që shkaktojnë erën.

Pas këtij cikli, është e rëndësishme të aktivizoni një shpëlarje shtesë, për të larguar erën e uthullës dhe të gjitha mbetjet e tretura nga fibrat.

Më pas vjen larja e dytë, sërish në ujë të nxehtë, por këtë herë me gjysmë filxhani sodë buke, përsëri pa detergjent. Soda e bukës dezinfekton më tej, largon aromat e pakëndshme dhe u rikthen peshqirëve butësinë.

Në fund, rekomandohet edhe një shpëlarje tjetër, për t’u siguruar që në pëlhurë nuk ka mbetur asnjë gjurmë.

Tharja është pjesë kyçe e procesit

Pavarësisht sa e kujdesshme është larja, nëse peshqirët nuk thahen plotësisht, problemi do të rikthehet. Tharja ideale është në tharëse rrobash në temperaturë më të lartë, por nëse i thani në ajër, shtrijini mirë që të kenë qarkullim të mjaftueshëm ajri dhe hiqini vetëm kur të jenë plotësisht të thatë.

Vetëm atëherë mund t’i vendosni në dollap, pa frikën se herën tjetër do t’ju presë sërish era e lagështisë. Ky truk i thjeshtë jo vetëm që i shpëton peshqirët, por edhe ua zgjat jetëgjatësinë dhe u rikthen ndjesinë e freskisë që duhet të kenë. /Periskopi/

# Lajme
# Sport
# Op-ed
# Video
# Zoya
# Showbiz
# Auto&Tech
# Shëndeti