Arsenal interesohet për portierin kosovar Diant Ramaj

Arsenal interesohet për portierin kosovar Diant Ramaj

Arsenal po monitoron nga afër performancat e portierit 24-vjeçar, Diant Ramaj, i cili aktualisht ndodhet në huazim te Heidenheim nga Borussia Dortmund.

Gjatë këtij huazimi, Ramaj ka treguar formë të mirë dhe ka tërhequr vëmendjen e klubeve të mëdha evropiane.

Sipas Christian Falk nga SportBILD, “Është e vërtetë, Ramaj është në listën e Arsenalit. Portieri i Heidenheim është ende i huazuar nga Dortmund, kështu që duhet të ketë negociata mes klubeve. Arsenal tashmë ka një portier të mirë në portë, David Raya, i cili është numri 1, dhe gjithashtu Kepa Arrizabalaga, 31 vjeç, të dy me kontrata deri në vitin 2028. Për Ramaj do të ishte më shumë një investim për të ardhmen, por padyshim një klub interesant.”

Kalimi te Arsenal do të ishte një hap i madh për karrierën e Ramaj, por në këtë fazë ai ka nevojë të luajë rregullisht. Të qëndrojë në stol nuk do të ishte e dobishme për zhvillimin e tij.

Klubi anglez ka mundësitë financiare për të mbyllur marrëveshjen, por mbetet për t’u parë nëse mund ta bindin portierin me një rol të rëndësishëm në skuadër.

Borussia Dortmund mund të hezitojë ta largojë, edhe pse ai nuk është pjesë kyçe e planeve të tyre, pasi Ramaj mbetet një talent me të ardhme të ndritur. Për momentin, fokusi i portierit duhet të jetë te marrja e minutave të rregullta në fushë dhe zhvillimi i karrierës së tij. /Periskopi/

# Lajme
# Sport
# Op-ed
# Video
# Zoya
# Showbiz
# Auto&Tech
# Shëndeti