A e dini se makina harxhon më shumë karburant kur i mbajmë xhamat hapur? Kjo është arsyeja

Shumë shoferë pyesin veten nëse hapja e xhamave gjatë ngarjes së makinës ndikon në rritjen e harxhimit të karburantit, apo nëse është më ekonomike përdorimi i klimës.
Ekspertët theksojnë se përgjigjja varet nga shpejtësia dhe kushtet e ngarjes.
Në shpejtësi të ulëta, veçanërisht nën 60 km/orë, hapja e xhamave nuk ka ndikim të madh në harxhimin e karburantit. Në këto raste, ajri natyror është më ekonomik sesa klima, e cila shfrytëzon fuqinë e motorit të makinës.
Në shpejtësi më të larta, sidomos në rrugë të hapura dhe autostradë, xhamat e hapur prishin aerodinamikën e makinës, duke rritur rezistencën e ajrit. Si pasojë, motori punon më shumë dhe harxhon më tepër karburant. Në këto kushte, përdorimi i klimës është zgjidhje më e përshtatshme.
Ekspertët rekomandojnë që:
• Makina të ajroset fillimisht me xhama të hapur nëse ka qëndruar e parkuar në diell.
• Gjatë ngarjes në shpejtësi të larta, xhamat të mbyllen dhe të përdoret klima.
• Të shmanget ngarkesa e panevojshme në makinë dhe të kontrollohet rregullisht presioni i gomave, pasi edhe këta faktorë ndikojnë drejtpërdrejt në konsum.
Në fund, kursimi i karburantit nuk varet vetëm nga makina, por edhe nga mënyra e ngarjes. Ngarja e qetë, shpejtësia e moderuar dhe mirëmbajtja e rregullt mbeten mënyrat më të sigurta për të ulur shpenzimet./Periskopi/
