Jashari takon Kingjin, flasin për thellimin e bashkëpunimit me ushtrinë e Shqipërisë

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Bashkim Jashari, ka pritur në takim Shefin e Shtabit të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, Arben Kingji.
Fillimisht, Jashari e falënderoi Kingjin për lidershipin e tij në udhëheqjen e FARSH-it, si dhe për mbështetjen dhe përkrahjen vëllazërore ndaj FSK-së.
Po ashtu, u diskutuan zhvillimet aktuale në fushën e sigurisë dhe roli i FSK-së në garantimin e sigurisë së Kosovës, si një kontribuues i rëndësishëm në ruajtjen e stabilitetit rajonal.
Gjatë takimit, të dy gjeneralët vlerësuan lart progresin e FSK-së në fushën e zhvillimit dhe modernizimit, si dhe performancën e trupave tona në ndërveprueshmëri gjatë aktiviteteve shumëkombëshe.
Bëhet e ditur se në takim, u theksua rëndësia e mbështetjes së FARSH-it për zhvillimin e mëtejmë të FSK-së, veçanërisht në fushat e arsimimit, stërvitjes dhe shkëmbimit të përvojave, duke avancuar edhe më tej bashkëpunimin dypalësh.
Në përmbyllje të takimit, gjeneralët ritheksuan se thellimi i bashkëpunimit ndërmjet Forcave të Armatosura të Shqipërisë dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës mbetet një prioritet strategjik kombëtar. Në këtë kontekst, forcimi i kapaciteteve mbrojtëse u vlerësua si thelbësor për garantimin e sigurisë dhe stabilitetit rajonal.
