Volvo prezanton fontin e ri që do të bëjë veturat më të sigurta

Volvo prezanton fontin e ri që do të bëjë veturat më të sigurta

Volvo është i njohur për kujdesin e tij ndaj sigurisë në trafik. Tani ka një ide të re.

Ndryshe nga rripi me tre pika i cili rriti ndjeshëm sigurinë të gjithë pjesëmarrësve në trafik, kjo shpikje mund të duket pak më pak “revolucionare”. Volvo tani po e drejton vëmendjen te siguria e ekranit në vetura, jo përmes një sistemi operativ më të mirë apo procesori më të shpejtë, apo madje as nga shtimi i butonave, por përmes tipografisë (fontit).

Në ditët e sotme, automjetet kanë më shumë ekrane se kurrë më parë, dhe Volvo dëshiron që fontet të jenë lehtësisht të lexueshme, sidomos gjatë vozitjes. Pikërisht për këtë, ekipi i tyre për ndërfaqe përdoruesh ka zhvilluar një font të ri me qëllim përmirësimin e sigurisë në rrugë.

Ky font quhet Volvo Centum dhe është një lloj homazh për 100-vjetorin e kompanisë, që do të shënohet në vitin 2027. Ai është zhvilluar në bashkëpunim me studion tipografike Dalton Maag, dhe Volvo planifikon ta prezantojë atë për herë të parë në modelin e ri EX60 në fillim të vitit 2026, raporton Telegrafi, transmeton Periskopi.

Volvo ka shpjeguar për publikimin Dezeen se fonti është krijuar për të “ndikuar drejtpërdrejt në lëvizjet e syve”, në mënyrë që asgjë në ekran të mos tërheqë vëmendjen e shoferit përveç tekstit vetë. Ata gjithashtu kanë reduktuar elementët grafikë të panevojshëm dhe “çorganizimin vizual”, duke ndihmuar shoferin që të fokusojë shikimin vetëm tek ajo që ka rëndësi.

Pablo Bosch, dizajner i zhvillimit të fontit në studion Dalton Maag, thotë se çdo vendim dizajni – forma, trashësia dhe proporcioni i shkronjave – janë bërë me qëllim që njerëzit të lexojnë më shpejt, të kuptojnë më mirë dhe të qëndrojnë të fokusuar në veturën.

Edhe pse kjo mund të duket e parëndësishme, fonti më i qartë mund të ndikojë realisht në siguri. Një studim i Shoqatës Amerikane të Automjeteve (AAA) tregon se shoferët mesatarisht shikojnë ekranin qendror nga 18 deri në 40 sekonda, në varësi të moshës. Në një shpejtësi prej vetëm 40 km/h, automobili përshkon pothuajse gjysmë kilometri gjatë 40 sekondave. Një font më i qartë mund të ndihmojë në shkurtimin e kohës që shoferi e kalon duke parë ekranin.

Megjithatë, artikulli shprehet se edhe pse duket se fonti mund të ndihmojë, disa mendojnë se një zgjidhje edhe më efektive do të ishte kthimi i butonave fizikë në vend të ekranit. /Periskopi/

# Lajme
# Sport
# Op-ed
# Video
# Zoya
# Showbiz
# Auto&Tech
# Shëndeti