Alarmi i KQZ-së: Në 888 nga 948 qendrat e votimit mund të ketë ndërprerje të energjisë

Nëse jo me parregullsi zgjedhore, dita e zgjedhjeve të 28 dhjetorit është paralajmëruar se do të shoqërohet me mungesë të rrymës. Në mbledhjen e KQZ-së të mbajtur të premten është shprehur brengë për ndikimin në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor që mund ta ketë ndërprerja potenciale e energjisë elektrike.
Anëtari i KQZ-së nga radhët e PDK-së, Ilir Gashi, tha se mungesa e energjisë elektrike paraqet shqetësim të madh për procesin që do të zhvillohet të dielën.
“Një raport të cilin ju na keni dërguar, për mua është shumë shqetësues, për faktin se ka paralajmërime se diku në 888 qendra votimi mund të mos ketë energji elektrike. Kjo s’do të thotë që ndoshta tërë ditën, por në këto qendra në bazë të informatave dhe raportit që posedojmë dhe për më keq, 666 prej tyre paraqesin rrezikshmëri të lartë që potencialisht nuk do të ketë energji elektrike”, ka thënë Gashi në mbledhjen e KQZ-së, të premten.
Besnik Buzhala, që është ushtrues i detyrës së kryeshefit të Sekretariatit të KQZ-së, shfaqi shpresën të mos ketë ndërprerje të energjisë elektrike. Por, ai tha se kjo varet nga konsumi në ditën e zgjedhjeve, dhe theksoi se gjysma e qendrave të votimit nuk kanë as alternativa të tjera të furnizimit me energji.
“Pika më problematike në tërë territorin e Republikës së Kosovës është Rahoveci, e cila e shpërndan energjinë edhe për Komunën e Malishevës. Janë dy komuna që janë shumë problematike, edhe është qendra e Prizrenit, ku transmisioni i cili e furnizon Prizrenin, e furnizon edhe komplet Komunën e Dragashit. Këto janë dy shqetësimet më të mëdha të KOSTT-it sa i përket transmisionit”, ka thënë Buzhala, tek ka njoftuar për takimin që kanë zhvilluar me përfaqësuesit e KEDS-it e për planin operativ që i është kumtuar nga ta.
Nga KEDS-i, pas takimit me përfaqësuesit e KQZ-së, kanë dhënë zotimin se do të sigurojnë kushte për furnizim të qëndrueshëm me rrymë në ditën e zgjedhjeve.
“Do të angazhohen gjithsej 1,049 punëtorë, të organizuar në 140 ekipe në mbarë vendin. Në secilin vendvotim do të ketë një ekip në afërsi, për intervenim të shpejtë në rast të ndonjë prishjeje të mundshme, do të funksionojë një komision qendror teknik për monitorim dhe koordinim në kohë reale, ekipet teknike do të jenë në gatishmëri të plotë gjatë gjithë ditës së votimit, kapaciteti i plotë logjistik dhe mbështetja IT do të jenë në dispozicion për mbarëvajtjen e procesit”.
Reduktime të energjisë elektrike ka pasur ditëve të fundit në disa komuna të Kosovës. Në Operatorin e Sistemit, Transmisionit dhe Tregut kanë thënë se ndërprerja e rrymës është shkaktuar nga mbingarkesa./Periskopi
