Nora Gjakova ka njoftuar të mërkurën për përfundimin e karrierës së saj sportive, duke mbyllur një kapitull të jashtëzakonshëm në historinë e xhudos kosovare. Pas më shumë se dy dekadash në tatami, ajo largohet si njëra prej sportisteve më të mëdha shqiptare të të gjitha kohërave.
Kulmi i rrugëtimit të saj erdhi në verën e vitit 2021, kur në Lojërat Olimpike “Tokio 2020” fitoi medaljen e artë, suksesi më i madh që mund të arrijë një sportiste. Ajo medalje e vendosi përfundimisht Norën në panteonin e sportit botëror dhe i dha Kosovës një tjetër moment historik.
Gjakova nuk u ndal as në vitet e fundit të karrierës. Garën e fundit e zhvilloi në fillim të këtij viti, duke u përshëndetur me medalje bronzi nga Grand Slami i Parisit – turneu më prestigjioz në kalendarin e xhudos ndërkombëtare. Ishte një mbyllje simbolike për një karrierë të ndërtuar mbi qëndrueshmëri, disiplinë dhe nivel të lartë konkurrimi.
Përgjatë gjithë rrugëtimit të saj, Nora u dallua për seriozitetin, këmbëngulësinë dhe vazhdimësinë në rezultate. Ajo ishte shembull edhe për xhudon teknike e të bukur, por edhe për përgatitjen fizike që e karakterizoi ndër vite.
Vendimin për t’u tërhequr nga sporti aktiv e bëri publik përmes rrjeteve sociale, ku ndau një mesazh emocional falënderimi.
“Sot, në ditën e fundit të vitit 2025, po e përmbylli një kapitull të rëndësishëm që për mua ka qenë e gjithë jeta ime deri më tash…”, shkroi Gjakova, duke theksuar se xhudoja e formësoi si sportiste dhe si njeri.
Ajo shprehu mirënjohje për 23 vjetët e kaluar në këtë sport, duke falënderuar familjen për mbështetjen e vazhdueshme, trajnerin Driton Kuka për rrugëtimin drejt majave, shokët e klubit “Ippon”, si dhe shtetin e Kosovës për nderin që i dha ta përfaqësonte në arenën ndërkombëtare.
Përveç medaljes olimpike të artë, Nora Gjakova ka një koleksion mbresëlënës trofesh. Në vitin 2021 fitoi medaljen e bronztë në Kampionatin Botëror. Në Kampionatet Evropiane u ngjit në podium shtatë herë: medalje e artë në vitin 2018, e argjendtë në 2019 dhe të bronzta në vitet 2015, 2016, 2017, 2021 dhe 2023.
Në turnet Masters ka fituar një medalje të argjendtë dhe një të bronztë. Në Grand Slam numëron tri medalje të arta, katër të argjendta dhe tri të bronzta, ndërsa në Grand Prix ka pesë të arta, tri të argjendta dhe katër të bronzta.
Një moment tjetër historik i karrierës së saj ishte viti 2015, kur në Lojërat e para Evropiane në Baku fitoi medaljen e parë të Kosovës në një ngjarje shumësportëshe – të bronztën, që mbeti edhe e vetmja për vendin në atë edicion.
Pothuajse të gjitha sukseset i arriti në kategorinë deri në 57 kilogramë. Vetëm medaljen e fundit, atë të Parisit, e fitoi në kategorinë deri në 63 kilogramë.
Pas përfundimit të karrierës aktive, Nora Gjakova ka nisur një kapitull të ri, duke punuar si trajnere në ekipin e udhëhequr nga kryemjeshtri Driton Kuka. Trashëgimia e saj sportive mbetet jashtëzakonisht e çmuar dhe rrugëtimi i saj është dëshmi se me punë dhe përkushtim mund të arrihen majat më të larta.