Prishtina feston sonte ndërrimin e viteve, aktivitetet nisin nga ora 18:00

Në kryeqytet sonte shënohet ndërrimi i viteve me një program festiv të organizuar nga Komuna e Prishtinës.
Sipas njoftimit zyrtar, aktivitetet festive nisin nga ora 18:00 dhe do të zgjasin deri pas mesnatës, duke ofruar muzikë live dhe performanca artistike për qytetarët që do të festojnë Vitin e Ri në shesh.
Qytetarët janë ftuar të marrin pjesë në numërimin tradicional për ndërrimin e viteve pak para mesnatës, i cili do të shoqërohet me shfaqje fishekzjarresh.
“Nën organizimin e Kryetarit të Kryeqytetit, Përparim Rama, kjo mbrëmje vjen si një festë për të gjithë qytetarët – me muzikë, gëzim dhe energji pozitive për ta nisur vitin e ri së bashku”, thuhet në njoftimin e Komunës.
Sipas agjendës së publikuar, programi përfshin nisjen e aktiviteteve me DJ nga ora 18:00, ndërsa nga ora 23:30 deri në 00:30 do të performojnë Jehona Lumi & Band. Pas mesnatës, në orën 00:40, skena do t’i takojë Dren Abazit dhe Zig Zag Orchestra.
Komuna e Prishtinës u ka uruar mirëseardhje të gjithë qytetarëve dhe ka ftuar ata që të bëhen pjesë e festës së ndërrimit të viteve në kryeqytet./Periskopi/
