Ndërprerja festive, numërimi i votave rinis nga ora 16:00

Sot nga ora 16:00 do të fillojë numrimi i votave teksa Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se ky proces do të vazhdojë sot në 11 komuna të vendit.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se procesi i numërimit të votave do të vazhdojë sot, duke filluar nga ora 16:00, në 11 Qendrat Komunale të Numërimit (QKN) në komunat: Prishtinë, Pejë, Prizren, Podujevë, Mitrovicë e Jugut, Gjakovë, Malishevë, Lipjan, Gjilan, Ferizaj dhe Suharekë, njofton Dukagjini.
KQZ-ja, mes tjerash, ka bërë të ditur se deri më tani është përmbyllur numërimi në 27 komuna të vendit.
Në faqen zyrtare të Komisionit Qendror janë procesuar mbi 78% të votave, nga 2557 vendvotime, janë numëruar 1991 sosh.
Numërimi i votave në 27 komuna deri më tani e ka sjellë këtë rezultat:
Lëvizja Vetëvendosje i ka gati 332 mijë vota, 48.48%, PDK, 21.60%, gati 148 mijë vota, LDK me mbi 87 mijë vota i afrohet 13%, AAK me mbi 38 mijë vota qëndron tek 5.61%, NISMA, ashtu sikurse me rezultatet preliminare, as pas konfirmimit të 78% të votave nuk e kalon pragun, mbetet me gati 12 mijë vota, 1.69%.
Krahas komuniteteve tjera, tek serbët konfirmohen 9 deputetë për Listën Serbe me mbi 40 mijë vota, krahas një deputeti që ka siguruar partia e Nenad Rashiqit.
Nga komunitetet, jashtë Kuvendit pas një kohe të gjatë ka mbetur edhe përfaqësuesja boshnjake, Duda Balje./Periskopi/
