Tragjedi në Orikum, dyshohet se burri vrau gruan më pas veten

Një ngjarje e rëndë është regjistruar këtë të premte në Orikum të Vlorës, ku një çift bashkëshortësh është gjetur pa shenja jete në banesën e tyre.
Viktima, Sose Xhebro, rreth 40 vjeçe, dyshohet se ka humbur jetën si pasojë e mbytjes me dhunë.
Sipas të dhënave paraprake nga grupi hetimor, dyshimet e para janë se ajo është vrarë nga bashkëshorti i saj, 50-vjeçari Llogora Xhebro, raporton Euronews.al, transmeton Periskopi.
“Sot, rreth orës 13:30, është marrë njoftim nga urgjenca mjekësore se një shtetase, në Orikum, është gjetur pa shenja jete dhe me shenja dhune në banesë. Nga veprimet e para hetimore dyshohet se shtetasja S. Xh., 40 vjeçe, është vrarë nga bashkëshorti i saj, shtetasi Ll. Xh., 50 vjeç”, njofton policia.
Po ashtu, dyshohet se pas vrasjes së bashkëshortes, Llogora Xhebro ka vrarë edhe veten me armë zjarri.
“Pas kontrolleve të ushtruara nga shërbimet e Policisë në zonën përreth kësaj banese, në garazh është gjetur dyshohet i vetëvrarë me armë zjarri autori i kësaj ngjarjeje, shtetasi Ll. Xh”, thuhet në njoftimin e policisë.
Arma pistoletë e gjetur në vendngjarje u sekuestrua në cilësinë e provës materiale ndërsa policia ndodhet në vendngjarje dhe po kryen veprimet procedurale./Periskopi/
