Si po ia përgatitë Sveçla tenderin kompanisë që bëri dallavere te kampi “Belvedere”?

Si po ia përgatitë Sveçla tenderin kompanisë që bëri dallavere te kampi “Belvedere”?

Një ankesë zyrtare e dorëzuar në OSHP akuzon Ministrinë e Punëve të Brendshme se ka dizajnuar kriteret e një tenderi për ta favorizuar kompaninë “Galanteria” SH.P.K., në pronësi të Muhamet Ymerit, duke e lidhur drejtpërdrejt këtë procedurë me “dallaveret” e dyshuara të furnizimeve në kampin “Belvedere”. Dokumentet flasin për shkelje të rënda të Ligjit të Prokurimit Publik, oferta mbi 50% më të shtrenjta se tregu dhe një skemë të qëllimshme favorizimi që, sipas ankesës, hedh hije të forta dyshimi edhe mbi kontratat e mëhershme të negociuara pa konkurrencë, raporton Insajderi, transmeton Periskopi.

Një betejë e ashpër ka shpërthyer në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP) kundër Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) e për një tender që nuk ëhstë edhe aq i madh. Një kompani ka dorëzuar një ankesë zyrtare ku akuzon dikasterin që udhëhiqet nga Xhelal Sveçla se po ia bën gati tenderin e radhës për t’i shkuar në dorë biznesmenit Muhamet Ymeri dhe kompanisë së tij “Galanteria” SH.P.K..

Në ankesën e dorëzuar më 9 janar 2026, ankuesi përdor një gjuhë tejet të ashpër dhe direkte, duke e lidhur tenderin e ri me historikun e dyshimtë të furnizimeve në veri të vendit. Në pjesën kryesore të akuzës, kompania shprehet:

“Ekziston dyshim i bazuar se kriteret në fjalë janë vendosur me qëllim të paracaktimit të rezultatit të procedurës dhe ky tender i është përgatitur për OE Galanteria Podujevë. Ky operator ka pasur kontrata të negociuara nga ju si Autoritet Kontraktues, ku i njëjti ka bërë dallavere me shtretërit të cilët janë vendosur në Kampin BELVEDERE, pasi që ka qenë kontratë me çmime marramendëse të larta dhe s’ka qenë procedurë e hapur por e negociuar”, thuhet në ankesë.

Ankuesi shton se bazuar në prova, kjo kompani përgatit specifika të tilla edhe në institucione tjera për t’u shpërblyer me kontrata ku “shkel ligjin duke dëmtuar buxhetin e Republikës së Kosovës dhe taksat e tatimpaguesve”, duke ofertuar me çmime mbi 50% më të larta se operatorët tjerë.

Kompania ankuese pretendon se MPB ka shkelur një sërë nesh të Ligjit për Prokurimin Publik (LPP), duke e cilësuar procesin si të paligjshëm në thelb. Në ankesë thuhet qartë:

“Nga të gjitha veprimet e sipërpërmendura rezulton qartë se zyrtarët e prokurimit kanë vendosur kritere të palejuara, kanë injoruar dispozitat e AQP-së, kanë cenuar parimet themelore të prokurimit publik dhe kanë zhvilluar procedurën në mënyrë selektive dhe jotransparente”, thuhet në ankesë.

Më tej, artikulohet se kjo nuk është thjesht paaftësi, por qëllim i pastër: Këto veprime përbëjnë “shkelje serioze profesionale dhe ligjore”; Citohet Neni 23 i LPP-së, sipas të cilit zyrtari i prokurimit është përgjegjës personalisht për ligjshmërinë e procedurës. Citohet edhe Neni 24 i LPP-së, i cili detyron zyrtarët të veprojnë në mënyrë profesionale dhe të paanshme.

Sipas dokumentacionit, MPB-ja akuzohet se ka kaluar nga kontratat direkte në një formë më “të rafinuar” të favorizimit: përdorimin e certifikatave specifike EN si barrierë. Ankuesi pretendon se kërkesa për mostra brenda 2 ditëve dhe autorizime të veçanta është bërë vetëm për të krijuar monopol.

“Zyrtarët e prokurimit janë vënë në lajthitje apo janë pjesë e skemës për të krijuar monopol në furnizimin me inventar për nevojat e MPB-së,” thuhet në dokument.

Në këtë skandal janë përfshirë me emra edhe zyrtarët e prokurimit të MPB-së, Armend Rugova e Agim Islami, të cilët akuzohen se kanë injoruar faktet për të mbuluar shkeljet. Për shkak të këtyre “dallavereve” të pretenduara, “Mobelland” ka kërkuar zyrtarisht nga OSHP-ja që: “Të rekomandojë dhe obligojë AQP-në dhe organet tjera kompetente fillimin e procedurës për revokimin e certifikatës së prokurimit të zyrtarëve përgjegjës.”

Deri më tani, Ministria e Punëve të Brendshme nuk ka dhënë një sqarim publik se pse këto pajisje po kërkohen me specifika që përputhen “pikë për pikë” me ato të kompanisë Galanteria, ndërkohë Insajderi ka kërkuar përgjigje nga Galanteria shpk, për akuzat kundër tyre, por deri tash as ata nuk kanë kthyer përgjigje.

Të dhënat zyrtare të prokurimit konfirmojnë se lidhja mes Ministrisë së Brendshme dhe kompanisë “Galanteria” SH.P.K. është e hershme dhe e ndërtuar kryesisht mbi procedurat e mbyllura. Sipas regjistrit të kontratave të negociuara për periudhën 2021-2024, kjo kompani ka përfituar direkt dy kontrata kornizë për furnizim me inventar, në vlerë totale prej rreth 140,000 eurosh. Kontrata e parë, e nënshkruar në tetor të vitit 2022, kapte vlerën e 94,657 eurove, ndërsa e dyta, në prill të vitit 2023, vlerën prej 44,171 eurove. Të dyja këto kontrata janë dhënë përmes procedurës së negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë – një metodë që ligjërisht lejohet vetëm në raste urgjence, por që në praktikë po akuzohet se u përdor për të shmangur rivalët dhe për të paguar çmime mbi vlerën e tregut.

Përveç këtyre, emri i kompanisë së Muhamet Ymerit ka qenë subjekt i raportimeve hulumtuese edhe për tenderë të tjerë të hapur, ku dyshohet se është favorizuar.

Insajderi raportoi muaj më parë se si Zyra e Kryeministrit kishte blerë 50 karrige me një çmim shumë të lartë nga kjo firmë. Tenderi ishte 14 mijë eurosh, që i bie rreth 280 euro për një karrige të vetme, ndërkohë që ofertat shumë më të lira ishin eliminuar me procedurë të shpejtë. Ajo që e bën këtë rast edhe më alarmant janë dyshimet e ngritura se kryesuesi i komisionit vlerësues brenda Zyrës së Kryeministrit kishte ushtruar presion të vazhdueshëm mbi anëtarët e tjerë që tenderi t’i jepet me çdo kusht biznesmenit Muhamet Ymeri.

# Lajme
# Sport
# Op-ed
# Video
# Zoya
# Showbiz
# Auto&Tech
# Shëndeti