Kryetari i Komunës së Bujanocit: Shqiptarët po diskriminohen në Serbi, politikanë serbë po nxisin tensione

Kryetari i Komunës së Bujanocit, Arbër Pajaziti ka ngritur shqetësimin për diskriminim të shqiptarëve nga shteti serb. Ai thotë se në shumë institucione shtetërore në Luginë të Preshevës nuk ka asnjë të punësuar shqiptar. Në një intervistë për KosovaPress, Pajaziti përmend Shërbimin e Kadastrit në Bujanoc ku thotë se në historinë e këtij institucioni nuk ka pasur asnjëherë të punësuar shqiptar, ani pse operon në objektin e komunës. Ai shpreh kritika edhe për fondet e ndara për Luginën e Preshevës, ku shpreh pakënaqësitë për mungesën e rezultateve në terren. Këto mjete, ai thotë se po shkojnë “nëpër xhepa të militantëve dhe të anëtarësisë së një partie politike”.
Arbër Pajaziti, i cili udhëheq Bujanocin thotë se viti i kaluar ka qenë i sfidave, meqë kanë trashëguar shumë borxhe.
“Viti 2025 ka qenë vit i shumë sfidave për komunën e Bujanocit, pasi që viti 2024 ishte vit zgjedhor dhe ne e trashëguam një situatë shumë të keqe në komunën e Bujanocit. Atëherë viti 2025 ishte vit ku ne u munduam që t’i rekuperojmë shumë dëme të cilat i kishim trashëguar nga qeverisja e kaluar. E pra, si prioritet e shpallëm pastërtinë në qytet dhe në fshatra, ku jemi munduar shumë që t’i sanojmë deponitë e egra, që ta kthejmë rendin, pastërtinë në qytet dhe ka ende shumë punë për t’u bërë, mirëpo në këtë drejtim kemi avancuar shumë….Mirëpo kemi, kemi hasur në ngecje, për shembull, tek subvencionet e bujqve, tek subvencionet e bizneseve, tek bursat e studentëve, për shkak, thashë edhe një herë, të gjendjes financiare që e kishim trashëguar, sepse ne e morëm komunën me diku rreth 3 milionë euro borxhe. Tash kemi arritur që ta sjellim deri në 1 milionë euro borxhe, të cilët i kemi bartur tash në vitin 2026. Mirëpo në përgjithësi, në planet tona që i kishim për vitin e kaluar, ishin këto shumica e prioriteteve që i kishim ne”, deklaron ai.
Kjo komunë së fundmi është përballur edhe me emigrim, thotë ndër tjera kryetari i Bujanocit, teksa shton se shumë biznese kanë hasur në mungesë të punëtorëve.
Në anën tjetër, Pajaziti thekson se nga viti 2015 shuma e transferit mujor nga shteti serb ka mbetur e njëjtë, derisa mbi 45 për qind e buxhetit shkon për paga, duke lënë më pak se 1 milion euro për investime kapitale.
“Ne nuk kemi asnjëherë problem me serbët lokalë. Nuk kemi pasur as të kaluarën, as gjatë kohës së konfliktit dhe gjatë kohës së luftës së UÇPMB-së. Këtu nuk ka pasur konflikt me serbët lokalë. Ne kemi pasur problem me qeverinë, me policinë dhe me ushtrinë. Mirëpo me serbët lokalë gjithmonë kemi jetuar në harmoni dhe Bujanoci është shembull edhe i tolerancës dhe i bashkëjetesës. Këtë dhe këtë gjë gjithmonë ne mundohemi që ta promovojmë. Mirëpo, bashkëpunimi me shtetin, këtu gjithmonë ka ngecje, për shkak se shumë politikanë, shumë udhëheqës të shtetit në brendësi të Serbisë nuk e kanë idenë se si funksionojmë ne këtu dhe shpeshherë vijnë edhe ndoshta me deklarata nxitëse dhe provokuese, nxisin këtu tension”, thekson Pajaziti në intervistën për KosovaPress.
Arbër Pajaziti nga “Alternativa për Ndryshim” thotë se shqiptarët vazhdojnë të diskriminohen në punësim në institucionet shtetërore.
“Prej kur unë udhëheq me komunën e Bujanocit, i kemi shtatë-tetë raste ku shqiptarët janë kyçur në organe shtetërore. Mirëpo këta janë shumë pak në krahasim me pjesën tjetër të punësuarve. Ne mund të marrim shembull vetëm shërbimin e kadastrit në komunën e Bujanocit, i cili është organ shtetëror dhe operon në ndërtesën e komunës së Bujanocit, në historinë e saj asnjëherë nuk ka pasur të punësuar një shqiptar dhe sot nuk ka asnjë. Domethënë, arrijnë që të sjellin edhe serbë nga Vranja, nga brendësia e Serbisë, nga komunat që i kemi këtu afër, si Vlladičin Han, si Surdulica, por nuk marrin shqiptarë nga Bujanoci. Gjithashtu edhe në gjykatë, domethënë, kemi ngecje. Kemi ngecje në çdo institucion shtetëror ku komuna nuk ka kompetencë. Domethënë, këtu numri është ose shumë i vogël ose nuk ka asnjë të punësuar shqiptar”, thotë ai.
Për këto diskriminime, Pajaziti thotë se faktori ndërkombëtar është i njoftuar, por se rezultatet po mungojnë.
Teksa flet për iniciativat politike për Luginën e Preshevës, Pajaziti ka deklaruar se pavarësisht përpjekjeve, nuk ka progres konkret.
“Kemi dëgjuar deklarata të zyrtarëve të Kosovës që kanë insistuar disa herë që çështja e Luginës të jetë në tavolinën e bisedimeve dhe kemi dëgjuar deklarata të përfaqësuesve të Serbisë, të cilët nuk kanë pranuar asnjëherë që kjo çështje të shtrohet në Bruksel. Ka tendenca, ka iniciativa, mirëpo rezultati mbetet zero. Dhe nëse bëhet e njëjta gjë disa herë, rezultati është zero, atëherë çfarë të presim? Të presim që prapë të bëjmë të njëjtën gjë dhe të presim rezultat ndryshe, kjo nuk qëndron. Në anën tjetër, edhe Shqipëria, zyrtare, Tirana zyrtare, në forume të ndryshme e ka ngritur çështjen e Luginës. Ne i kemi përshëndetur të gjitha këto iniciativa, mirëpo, ne po mbetemi në vend. Domethënë nuk ka progres, pavarësisht iniciativave të ndryshme dhe unë i inkurajoj që të vazhdojnë me iniciativa sepse nuk duhet të ndalemi. Ne duhet gjithmonë të kërkojmë ato të drejta të cilat na i lejon kushtetuta dhe të gjitha kornizat e tjera ndërkombëtare”, thotë ai.
Sa i përket fondeve të ndara nga Qeveria e Kosovës për Luginën e Preshevës, Pajaziti deklaron se të njëjtat nuk kanë dhënë rezultat.
“Nga viti 2022, Lugina e Preshevës është në vijë buxhetore të Qeverisë së Kosovës. 2 milionë, 3 milionë deri në 4 milionë. Mirëpo realizimi është bërë vetëm në vitin 2022 me ato 2 milionë. Me ato 2 milionët e famshme të cilat shkuan në xhepa të disa zyrtarëve të një partie politike. Dhe sot që jemi në vitin 2026, unë para disa ditëve i pyeta disa djem të rinj, thashë më tregoni vetëm një shenjë të atyre mjeteve të cilat kanë mbetur në Luginë. Dhe nuk diti askush të ma thotë. Domethënë, janë duke u dhënë disa mjete nga Kosova, mirëpo shenjë në terren nuk ka. Ne i kemi diku rreth, më pak se 1 milion euro për investime. Dhe ato 1 milion euro i sheh çdo ditë në terren. Dhe këto mjete të cilët po i ndanë Qeveria e Kosovës, realizimi nuk është duke u bërë 100%. Domethënë, vitin e kaluar, në fakt vitin 2024 shumë pak mjete janë dhënë. Vetëm janë dhënë mjete për disa libra dhe disa bursa për studentë. Ndërsa në vitin 2025, njëjtë. E kanë marrë vendim që t’i japin ndihmë bujqve, Këshilli Kombëtar Shqiptar, institucioni i cili duhet të merret me tema të tjera, jo me bujqit, mirëpo megjithatë, okay, e kanë vendosur ashtu qeveria që t’i ndajë përmes Këshillit Nacional, ato mjete janë bllokuar”, deklaron ai.
Sipas tij, mungon bashkëpunimi për shpërndarjen e këtyre mjeteve dhe, siç thotë ai, të njëjtat “po shkojnë nëpër xhepa të militantëve”.
“I kemi dhënë suport, i kemi dhënë ofertë që ato mjete, pasi që sipas ligjit, sipas një vendimi të gjykatës në Nish, nuk ka të drejtë që t’i shpërndajë Këshilli Kombëtar Shqiptar, i kemi thënë që t’i transferojë në komunën e Bujanocit dhe me listën e njëjtë të cilën ata e kanë sjellë, komisioni i tyre do t’i shpërndajë bujqve. Nuk kanë pranuar. Domethënë, nuk jam duke parë bashkëpunim dhe mjete të ndara për qytetarët e Luginës së Preshevës nga Qeveria e Kosovës, jam duke parë mjete të ndara nga Qeveria e Kosovës për një parti politike në Luginën e Preshevës…Si rezultat, dihet. Domethënë, ose po shkojnë mjetet nëpër xhepa të militantëve dhe të anëtarësisë së një partie politike, ose nuk po vijnë hiç. Po rrinë të bllokuara”, thotë mes tjerash Pajaziti.
Në intervistën për KosovaPress, Pajaziti flet edhe për pasivizimin e adresave që thotë se është kryer në tërë malësinë e Preshevës, Bujanocit dhe në Medvegjë.
“Pasivizimi ka filluar në vitin 2011. Dhe që atëherë deri tash, askush nuk e ka një numër të saktë që të dijë sa banorë janë të pasivizuar. Në bazë të një analize që e kemi bërë ne, në Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë, nga viti 2011 deri tash janë pasivizuar diku 8 mijë deri në 9 mijë qytetarë. Dhe këta qytetarë janë kryesisht ata të cilët përkohësisht punojnë ose jetojnë në Republikën e Kosovës. Ndërsa ata të cilët jetojnë në Zvicër, në Gjermani, në Austri, çdo vend tjetër të Bashkimit Evropian, ata nuk janë të pasivizuar. Edhe nëse ndalet pasivizimi, sepse po shoh edhe disa iniciativa nga Kongresi Amerikan, në Parlamentin Evropian e kështu me radhë, po shoh që kjo çështje është ndërkombëtarizuar dhe është shumë mirë që është bërë kjo, kjo gjë, që ka arritur domethënë deri në nivele të tilla që të sensibilizohet edhe faktori ndërkombëtar se këtu realisht po ndodh një spastrim etnik përmes ligjit. Mirëpo, edhe po të ndalet pasivizimi sot, nëse nuk kthehet gjendja siç ka qenë në vitin 2011, atëherë nuk po bëjmë asgjë. Sepse pasivizimi vetvetiu një ditë do të ndalet sepse nuk do të kenë mundësi kë ta pasivizojnë. Nuk mund të më pasivizojnë mua i cili jetoj këtu. Jam këtu tërë kohën. Por, është, ndoshta është vonë të kërkojmë vetëm ndaljen. Të kërkojmë ndaljen e pasivizimit dhe kthimin e gjendjes siç ka qenë në vitin 2011.
Kryetari i Komunës së Bujanocit, Arbër Pajaziti thotë se prioritet gjatë këtij viti do të jenë përkrahja e të rinjve, investimet infrastrukturore, lufta kundër ndotjes dhe sigurimi i ujit të pijshëm./Periskopi/
