Emisari i BE-së në Kosovë pret rezultate në dialog gjatë këtij viti, Kurti thotë se ka tri kushte për vazhdim të procesit

Emisari i BE-së në Kosovë pret rezultate në dialog gjatë këtij viti, Kurti thotë se ka tri kushte për vazhdim të procesit

Dy javë pas mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme, emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, ka vizituar Kosovën.

Pas takimeve me liderët politikë, ai është shprehur optimist se ky proces do të sjell rezultate gjatë këtij viti.

Në një konferencë për media, diplomati evropian ka thënë se ka shpresa të mëdha që viti 2026 do të japë atë që viti 2025 nuk e ka dhënë.

“Jam i lumtur që jam sërish në Kosovë, udhëtimin e parë të vitit. Pos Vitit të Ri, ju uroj edhe për zgjedhjet që vetëm sa i keni mbajtur. Po shikojmë para që të krijohet Parlamenti e të themelohet qeveria. Por, sigurisht siç ka qenë rasti me vitin 2025, ne punojmë për çështjet e dialogut që i kemi para nesh. Personalisht kam shpresa të mëdha që viti 2026 të na japë atë që viti 2025 nuk bëri. Dhe për këtë arsye e nisa vitin me udhëtim pune këtu e në Beograd pak më vonë. Siç e shihni po vonohem”, ka thënë Sorensen.

Emisari special i BE-së ka thënë se do të bëj përpjekje që palët të ulen në tavolinë për të vazhduar dialogun.

Ajo që ne do të bëjmë është ajo që na është kërkuar nga bota me rolin e lehtësuesit të dialogut. Të sigurohemi që palët të ulen e të flasin. Duhet të gjejmë mënyrë që të bëjmë këtë. Përfaqësuesja e lartë i ka vizituar si Beogradin ashtu edhe Prishtinën vitin e kaluar. Aty kemi pasur zotime se do të ketë takim kur të jetë koha e përshtatshme. Ajo do të thërrasë takimin, palët do të marrin pjesë e më pas do të shohim si të ecet përpara”, ka thënë Sorensen.

Në anën tjetër, edhe qeveria ka treguar versionin e saj të takimin të kryeministrit në detyrë Albin Kurti me diplomatin e lartë evropianë.

Zyra e Kryeministri ka bërë me dije se Kurti në takim ka treguar kushtet e tij për vazhdimin e dialogut me Serbinë.

Kryeministri shprehu gatishmërinë e Republikës së Kosovës për normalizim të plotë të marrëdhënieve me Serbinë dhe dialog konstruktiv në Bruksel, duke theksuar rëndësinë thelbësore të tërheqjes së letrës së ish-kryeministres Bërnabiq, të deponuar në Shërbimin Evropian për Veprim të Jashtëm (EEAS), dorëzimit të kryeterroristit Millan Radoiçiq, për të cilin tashmë ka aktakuzë 160 faqëshe nga Prokuroria e Republikës së Kosovës, dhe nënshkrimit të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të Zbatimit si garanci juridike dhe mirëbesim për rrugën përpara. Ai nënvizoi se me zbatimin e plotë të Marrëveshjes Bazike të Brukselit dhe Aneksit të Zbatimit të Ohrit, dialogu prodhon rezultate të qëndrueshme”, është thënë në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.

# Lajme
# Sport
# Op-ed
# Video
# Zoya
# Showbiz
# Auto&Tech
# Shëndeti