Abdixhiku me akuza për kundërshtarët brenda partisë, pretendon se po tentohet “eleminimi politikë” i tij

Zhvillime dramatike janë duke ndodhur dy ditët e fundit brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës. Pas mbledhjes së djeshme të kryesisë së partisë, sot nisen dorëheqjet, shkruan Periskopi.
Hykmete Bajrami dha dorëheqje të parevokueshme nga pozita e nënkryetares së partisë dhe e njëjta kërkoi dorëheqjen e Abdixhikut, të parevokueshme.
Pas kësaj erdhi reagimi i Abdixhikut, i cili ka “thumbuar” kundërshtarët e brendshëm në parti se ndaj tij po zhvillohet një përpjekje për eliminim politik.
Abdixhiku tha se dorëheqja është maksimumi që një politikan mund të ofrojë, por theksoi se largimet dhe ndryshimet në udhëheqje nuk mund të imponohen nga individë të veçantë.
“Më shumë se dorëheqja nuk ka çfarë të ofrojë një politikan. Eliminimet politike mund të jenë legjitime si aspiratë, por edhe për to vendos anëtarësia si tërësi, jo ne individualisht.”, u shpreh ai.
Sipas tij, fati i tij politik nuk mund të vendoset jashtë strukturave të partisë.
Kujtojmë se nëse Abdixhiku largohet nga pozita e kryetarit, kandidatë potencial për të parin e LDK-së janë: Hykmete Bajrami, Abdullah Hoti e Lutfi Haziri
Postimi i plotë i Lumir Abdixhikut:
Më shumë se dorëheqja nuk kam çfarë të ofroj!
Kam dëgjuar dhe jemi dëgjuar me njëri-tjetrin me vëmendje. Çdo zë, çdo kritikë dhe çdo shqetësim, me orë të tëra. Pesë orë e gjysmë. Në fund kemi dalur me përgjegjësi të plotë dhe me dinjitet para qytetarëve për të shprehur jo mendimin e një individi, as timin, por të shumicës dërmuese, ashtu siç u pajtuam pas pesë orë diskutimi.
Nuk i shmangemi asnjë përgjegjësie dhe nuk i ikim asnjë reflektimi. Unë, edhe më pak.
Kam marrë hapin më moral që një kryetar mund ta marrë: kam ofruar dorëheqjen time. Kam hapur rrugën për secilin që ka pretendime. Jeni të lirë të garoni; në Kuvend e keni mundësinë. Tani vendimi nuk është më i imi, është i LDK-së.
Dua ta them qartë; nuk jam i lidhur pas pozitës. Jam i lidhur pas shtëpisë. Dhe shtëpia ruhet me rregull, me dinjitet dhe me besim në anëtarësinë e saj dhe në secilën kërkesë të tyre.
Më shumë se dorëheqja nuk ka çfarë të ofrojë një politikan. Eliminimet politike mund të jenë legjitime si aspiratë, por edhe për to vendos anëtarësia si tërësi, jo ne individualisht.
Kemi thirrur Kuvendin. Aty flasim hapur. Aty propozojmë hapur. Aty vendosim hapur. Le ta presim Kuvendin. Le ta mbajmë debatin para shtëpisë sonë, me orë të tëra, me ditë të tëra po qe nevoja. Jemi të njohur për demokraci dhe liri veprimi. Le të sillemi me përgjegjësi. Sepse LDK nuk është reagim i çastit, nuk është as protagonizëm i ditëve të vështira; edhe më pak vendim i rrjeteve sociale e duartroktijeve të kundërshtarëve. LDK është institucion.
Ta keni të qartë. Jo sot, jo dje po gjithëherë: Fatin tim politik e vendos përballë LDK-së, jo mbi LDK-në. Dhe çfarëdo vendimi që merr Kuvendi, do ta respektoj me nder dhe qetësi
Deri atëherë, le të sillemi si mbrëmë e si deri tash, pa dramë e pa protagonizëm, ballëhapur e me dinjitet.
Sepse mbi çdo emër është LDK.
Dhe kështu na takon të gjithëve.
