KB Vëllaznimi reagon pas incidentit ndaj KB Bashkimit: Nuk jemi përgjegjës për mjetin e hedhur

KB Vëllaznimi ka reaguar pas incidentit të ndodhur gjatë ndeshjes ndaj KB Bashkimit, ku një anëtar i stafit teknik të mysafirëve u godit me shishe plastike.
Në një postim zyrtar në Facebook, klubi shpreh keqardhjen dhe dënon ashpër çdo akt dhune, duke theksuar se dhuna është e papranueshme dhe bie ndesh me parimet e fair-play-it dhe sigurisë sportive.
Klubi i Gjakovës sqaron se organizimi i ndeshjes ka qenë në përputhje me rregulloret e FBK-së, me prezencë të shtuar të Policisë së Kosovës dhe stafit të sigurimit. Sipas komunikatës, disa persona nga ekipi mysafir janë lejuar të qëndrojnë në një zonë të ndaluar të palestrës me lejen e delegatit dhe në koordinim me Policinë, nga ku u hodh edhe mjeti në parket.
Vëllaznimi thekson se përgjegjësia për këtë situatë nuk mund t’i atribuhet vetëm klubit, i cili kishte kundërshtuar praninë e tifozëve mysafirë në sallë sipas vendimeve të FBK-së.
Klubi shpreh gjithashtu shqetësim për trajtimin selektiv të rasteve të ngjashme, duke përmendur incidentin me Dardan Berishën në Prizren si shembull të pabarazisë në vendimmarrje.
KB Vëllaznimi kërkon nga Federata e Basketbollit të Kosovës:
Trajtim të barabartë të rasteve të ngjashme;
Analizë objektive të provave filmike;
Shmangie të deklaratave tendencioze që dëmtojnë imazhin e klubit.
Klubi përfundon komunikatën duke konfirmuar përkushtimin ndaj sportit të pastër, sigurisë dhe bashkëpunimit institucional, por nuk do të pranojë bartjen e përgjegjësive që nuk i takojnë.
