Vetëvendosje raporton mbi 36 mijë euro donacione për 5 muaj, dy biznese dhanë nga 5 mijë euro

Vetëvendosje raporton mbi 36 mijë euro donacione për 5 muaj, dy biznese dhanë nga 5 mijë euro

Lëvizja Vetëvendosje, si subjekti më i madh politik në vend, ka deklaruar se gjatë një periudhe pesëmujore ka grumbulluar dhjetëra mijëra euro donacione.

Sipas raportit financiar të audituar për zgjedhjet, të publikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, kjo parti ka pranuar gjithsej 36 mijë e 680 euro nga data 9 qershor deri më 9 nëntor 2025, raporton lajmi.net, transmeton Periskopi.

Raporti i KQZ-së tregon se donacionet kanë ardhur nga gjithsej 34 kontribuues, në mesin e të cilëve figurojnë edhe zyrtarë të lartë dhe ish-deputetë të Vetëvendosjes. Ndër ta është edhe nënkryetari i partisë dhe ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, i cili ka kontribuar me 1 mijë euro për subjektin politik që përfaqëson.

Po ashtu, ish-deputeti dhe deputeti i zgjedhur Avni Dehari ka dhënë dy donacione prej nga 165 euro, duke arritur një shumë totale prej 330 eurosh. Kontribute financiare kanë ofruar edhe dy ish-deputetë të tjerë të kësaj partie, ku Driton Hyseni nga Podujeva ka dhuruar 240 euro, ndërsa Agon Batusha nga Gjakova ka kontribuar me 1 mijë e 500 euro.

Përveç individëve, në listën e donatorëve përfshihen edhe subjekte afariste. Sipas raportit, kompania “Anita Teks Group” L.L.C. ka dhënë 5 mijë euro, ndërsa të njëjtën shumë e ka dhuruar edhe biznesi “Zam Group” Sh.P.K.

Të gjitha këto të dhëna janë pjesë e raportimit zyrtar financiar të Vetëvendosjes për zgjedhjet, i cili është audituar dhe publikuar nga KQZ./Periskopi

LEXO KËTU: RAPORTI I PLOTË I DONACIONEVE

# Lajme
# Sport
# Op-ed
# Video
# Zoya
# Showbiz
# Auto&Tech
# Shëndeti