Kush është Nevica Çepenkoviq, serbja që rrahu dhe torturoi në mënyrë çnjerzore gratë shqiptare në burg të Lipjanit gjatë luftës?

Kush është Nevica Çepenkoviq, serbja që rrahu dhe torturoi në mënyrë çnjerzore gratë shqiptare në burg të Lipjanit gjatë luftës?

Qelitë e errëta dhe të ftohta të Burgut të Lipjanit, gjatë viteve 1998–1999, ishin vend ku për gratë shqiptare të burgosura nisnin torturat sa herë që hapej dera dhe dëgjohej zhurma e hapave të gardianeve.

Sipas dëshmive, torturat kryheshin pa ndërprerë nga gardianja serbe Nevica Çepenkoviq, e cila nuk kursente asnjë grua të burgosur, duke i rrahur dhe maltretuar vetëm pse ishin shqiptare, raporton Klan Kosova, transmeton Periskopi

Ish-e burgosura Zahrije Podrimqaku ka rrëfyer për dhunën e ushtruar ndaj saj, duke thënë se rrihej me shkop druri deri në alivanosje dhe se keqtrajtohej vazhdimisht.

Torturat e asaj kohe i ka ende të freskëta në kujtime edhe Behare Tafallari, e cila thotë se Çepenkoviqi ishte jashtëzakonisht e pamëshirshme dhe se të burgosurat nuk i shihte si njerëz.

Për këto veprime, Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë për “Krime lufte kundër popullsisë civile” ndaj Çepenkoviqit, si gardiane në Burgun e Prishtinës, paralelja për gra në Lipjan.

Ajo akuzohet se, në mënyrë sistematike, ka keqtrajtuar të burgosurat shqiptare, i ka kanosur për jetë dhe i ka torturuar në mënyrë çnjerëzore me shkop gome, shqelma e grushte, deri në alivanosje, duke u shkaktuar lëndime trupore.

Kjo konsiderohet aktakuza e parë e ngritur ndaj një gruaje nga Prokuroria e Republikës.

Veprimi i Prokurorisë, edhe pse i vonshëm, është pritur me gëzim nga ish-të burgosurat. Ato shprehen se vendimi u ka sjellë lehtësim dhe ndjenjë drejtësie.

E dyshuara u arrestua në prill të vitit 2025 dhe aktualisht ndodhet në paraburgim në Kosovë. /Periskopi/

# Lajme
# Sport
# Op-ed
# Video
# Zoya
# Showbiz
# Auto&Tech
# Shëndeti