Mësohet qëndrimi i FIFA-s pas incidentit të kartelit në Meksikë, në qytetin ku do të mbahet Botërori

Mësohet qëndrimi i FIFA-s pas incidentit të kartelit në Meksikë, në qytetin ku do të mbahet Botërori

Sipas raportimeve, FIFA është e shqetësuar për gatishmërinë e Guadalajaras për të pritur ndeshjet e Kupës së Botës 2026, për shkak të një vale dhune nga bandat në disa qytete të Meksikës përpara turneut.

Të dielën (22 shkurt), u bë e ditur se njeriu më i kërkuar në Meksikë dhe lideri i kartelit të drogës Jalisco New Generation (CJNG), “El Mencho” – i njohur më parë si Nemesio Oseguera Cervantes – ishte vrarë gjatë një operacioni sigurie që synonte arrestimin e tij, teksa po udhëtonte drejt Mexico City pas përplasjeve të dhunshme.

Siç raportoi “BBC News”, katër anëtarë të kartelit u plagosën në shtetin qendror-perëndimor të Jaliscos, ndërsa tre pjesëtarë të forcave të armatosura meksikane u lënduan gjithashtu gjatë shkëmbimeve të zjarrit.

Departamenti Amerikan i Shtetit kishte ofruar më parë një shpërblim prej 11.1 milionë paundësh për informacione që çonin në kapjen e “bosit” të drogës.

Pas vdekjes së “El Mencho”, dhuna u përhap në të gjithë vendin, me kartelin që dogji automjete në shenjë hakmarrjeje.

Flakët mund të shiheshin nga kilometra larg, me tym që ngrihej mbi disa qytete, përfshirë Guadalajaran, e cila pritet të presë katër ndeshje të Kupës së Botës, përfshirë ndeshjen e dytë të Meksikës në fazën e grupeve më 18 qershor.

Forcat Ajrore Meksikane dhe Garda Kombëtare janë angazhuar më pas, ndërsa presidentja e vendit, Claudia Sheinbaum Pardo, u bëri thirrje qytetarëve të qëndrojnë “të qetë” pavarësisht shpërthimeve të dhunës.

Si pasojë, fluturimet u anuluan, ndërsa ndeshjet e Liga MX u shtynë për arsye sigurie.

Sipas “CBS”, rreth 250 bllokada rrugësh u vendosën, 65 prej tyre në Jalisco.

Kabineti meksikan i sigurisë konfirmoi gjithashtu se 25 persona u arrestuan për një kombinim veprash të dhunshme dhe grabitjesh të dyshuara.

Pra, a mund të ndikojnë tensionet në aftësinë e Guadalajaras për të pritur ndeshjet e Kupës së Botës?

Sipas mediumit spanjoll “MARCA”, megjithëse FIFA nuk ka komentuar publikisht situatën, “burime të afërta me planifikimin kanë pranuar një nivel të lartë shqetësimi nëse kushtet në terren mund të garantojnë sigurinë e pritur në një ngjarje sportive globale të kësaj përmase”.

Guadalajara dhe Monterrey pritet gjithashtu të presin ndeshje “play-off” në mars, ku Bolivia, Xhamajka, Kaledonia e Re dhe Suriname, si dhe Republika Demokratike e Kongos dhe Iraku, do të garojnë për dy vendet e fundit në turneun e ardhshëm.

Organi drejtues i futbollit botëror, FIFA, në fakt mund t’ia heqë Guadalajaras ose ndonjë qyteti tjetër mikpritës të drejtën për të organizuar ndeshje.

Sipas rregulloreve të Kupës së Botës 2026, FIFA ka të drejtë të “anulojë, riplanifikojë ose zhvendosë një ose më shumë ndeshje (ose të gjithë Kupën e Botës 2026) për çfarëdo arsye sipas diskrecionit të saj të vetëm, përfshirë si rezultat i forcës madhore ose për shkak të shqetësimeve për shëndetin, sigurinë apo mbrojtjen”.

Ndërkohë, duke folur për “SPORTbible” më herët në shkurt, Jack Anderson, profesor i së drejtës sportive në “University of Melbourne”, shpjegoi: “Sipas kontratave në fuqi, FIFA ka kompetenca të gjera për të ndërprerë në mënyrë të njëanshme marrëveshjen me vendin dhe qytetin mikpritës”, por vetëm nëse mund të justifikojë një bazë ‘të jashtëzakonshme’ për ndërprerje.

# Lajme
# Sport
# Op-ed
# Video
# Zoya
# Showbiz
# Auto&Tech
# Shëndeti