Katër të vdekur nga sulmi me thikë në Uashington, autori qëllohet nga policia

Katër të vdekur nga sulmi me thikë në Uashington, autori qëllohet nga policia

Një 32-vjeçar vrau me thikë katër persona sot në mëngjes në Uashington, ndërsa zëvendëssherifët ishin rrugës për t’i dorëzuar një urdhër mbrojtjeje për dhunë në familje, sipas AP.

I dyshuari u qëllua për vdekje nga një prej efektivëve sapo ai mbërriti në vendngjarje, njoftuan autoritetet.

Zyra e Sherifit në Pierce County bëri të ditur se rreth orës 08:40 të mëngjesit ishte njoftuar se personi po shkelte një urdhër ndalimi kontakti në një banesë në zonën e Key Peninsula, në veriperëndim të Tacoma.

Pas verifikimit, efektivët konstatuan se urdhri nuk ishte i vlefshëm pasi nuk i ishte dorëzuar zyrtarisht 32-vjeçarit dhe ishin nisur për t’ia komunikuar.

Rreth orës 09:30, ndërsa patrullat ishin ende rrugës, mbërritën raportime të reja se i dyshuari po sulmonte me thikë persona jashtë banesës.

Oficeri i parë mbërriti brenda tre minutash dhe hapi zjarr ndaj autorit të dyshuar, i cili u shpall i vdekur në vend.

Sipas zëdhënëses së ekipit hetimor të forcës në Pierce County, tre nga viktimat humbën jetën në vendngjarje, ndërsa një e katërt ndërroi jetë gjatë transportimit për në spital.

Dokumentet gjyqësore të qarkut tregojnë se në maj të vitit të kaluar, një grua që banonte në atë adresë kishte siguruar një urdhër mbrojtjeje 1-vjeçar ndaj djalit të saj 32-vjeçar.

Ajo deklaronte se ai vuante nga probleme të shëndetit mendor dhe abuzime me substanca.

Gruaja, e cila e përshkruan veten si e moshuar dhe me aftësi të kufizuara, pretendonte gjithashtu se djali e kërcënonte dhe e abuzonte psikologjikisht, dëmtonte sendet personale dhe kishte plagosur macen e saj.

Sipas të dhënave, 32-vjeçari ishte njoftuar në një seancë dëgjimore lidhur me urdhrin e ndalimit, por nuk ishte paraqitur.

Urdhri e ndalonte atë të posedonte armë të rrezikshme, e detyronte të qëndronte të paktën 305 metra larg nënës, automjetit dhe banesës së saj – që më herët e kishin ndarë së bashku – si dhe të zbatonte një plan të përshkruar trajtimi për shëndetin mendor, përfshirë marrjen e medikamenteve.

Autoritetet thanë se mbetet e paqartë pse urdhri i mbrojtjes nuk i ishte dorëzuar më herët të dyshuarit.

Në Uashington, personi që siguron një urdhër të tillë mund të kërkojë që ai të dorëzohet nga forcat e rendit ose nga një shërbim privat përkatës; mungesa e informacionit mbi vendndodhjen e subjektit mund të shkaktojë vonesa.

 

 

# Lajme
# Sport
# Op-ed
# Video
# Zoya
# Showbiz
# Auto&Tech
# Shëndeti