‘Tik-tak’, koha po afron: Deri kur kanë kohë kandidatët për president t’i dërgojnë nënshkrimet?

Koha po afron, por Kosova ende nuk ka dy kandidatë të cilët do të garojnë për të parin e shtetit. Nëse deri dje ishin tre emra si opsione, tani ka mbetur vetëm Vjosa Osmani, e cila ende nuk ka sigururar votat e nevojshme për ta marrë edhe një mandat, shkruan Periskopi.
Afati për zgjedhjen e presidentit përfundon me 5 mars, dhe për secilën kandidaturë duhet të sigurohen të paktën 30 nënshkrime të deputetëve.
Por, deri kur kanë kohë kandidatët t’i mbledhin nënshkrimet?
Vullnet Bugaqku nga Instituti Demokratik I Kosovës në një prononcim për Periskopin tha se nuk ka ndonjë procedurë që e kufizon se deri kur lejohet që kandidaët t’i nisin nënshkrimet tek kryetarja e Kuvendit të Kosovës.
Tutje, Bugaqku nuk e përjashtoi mundësinë qe deri në ditën e fundit mund të ketë kandidatë që marrin 30 nënshkrime dhe i paraqesin para Kuvendit.
“Është Kushtetuta e Kosovës, është rregullorja e punës së Kuvendit që e përcaktojnë një afat deri kur lejohet që kandidatët për president, kushdo që nominohet ose që vetnominohet, t’i paraqesin nënshkrimet tek Kuvendi i Kosovës. Pra, rrjedhimisht, pasi që jemi në afate procedurale të ditura sa i përket kohës, kur duhet të filloj procedura që të zgjidhet presidenti, nuk e përjashtoj mundësinë që edhe në ditën e fundit ose në ditën e parafundit, para datës 5 mars të ketë kandidatura që ofrojnë ose i marrin apo i sigurojnë 30 nënshkrime i paraqesin para Kuvendit të Kosovës. Nuk ka ndonjë procedurë që e kufizon, se deri kur lejohet, por që jep mundësinë që për president, kandidatët të sigurojnë së paku 30 nënshkrime dhe momentin unë mendoj që sigurohen se dy kundërkandidat i kanë nënshkrimet hapet mundësia që të thirret seanca për zgjedhjen e presidentit”, tha Bugaqku për Periskopin.
Kujtojmë se Murat Jashari, në një prononcim për VOXKosova, ka refuzuar mundësinë për të marrë postin e presidentit.
Ai ka theksuar se familja Jashari “i takon gjithë shqiptarëve” dhe nuk duhet të përfshihet në kalkulime politike të zakonshme.
Sipas tij, një përgjegjësi e tillë do të mund të merrej parasysh vetëm në rrethana të jashtëzakonshme, si në rast të ndonjë lufte civile apo situate që kërkon unitet dhe sakrificë kombëtare, por jo në kushte normale politike.
“Runa Zot, naj luftë civile, naj rreziku të madh kombëtar, ku cënohet bërthama e kombit tonë, atëherë kush jam unë mos me sakrifiku për këtë vend, ama jo me keqpërdorë emrin e familjes Jashari”, theksoi ai.
Kosova duhet ta zgjedhë presidentin e ri deri më 4 mars, për të shmangur zgjedhje të tjera të parakohshme, pasi mandatit të presidentes aktuale, Vjosa Osmani, i vjen fundi më 4 prill.
