30 ditë paraburgim për dy serbët e dyshuar për rastin e parcelës 2 milionëshe

Gjykata Themelore në Prishtinë ua ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh Zhelko Jagodiqit dhe Mihajllo Mihajlloviqit.
Kjo masë u mor në seancën e mbajtur në Prishtinë, me kërkesë të prokurorit Zef Prendrecaj.
Dy shtetasit serbë, u arrestuan të mërkurën pas një hetimi disa mujor nga Prokuroria e Prishtinës për tjetërsim prone dhe vepra të tjera penale.
Ata dyshohet se tentuan të shesin një pronë 2 milionëshe në Veternik.
Prokuroria Themelore në Prishtinë njoftoi të mërkurën se pas një hetimi disamujor, janë ndaluar për 48 orë dy persona me inicialet M.M dhe Z.J. për dyshimin e kryerjes së mashtrimit, falsifikimit të dokumenteve dhe legalizimit të përmbajtës së rreme.
Në njoftim u tha se ky hetim lidhet me një pronë në Veternik me sipërfaqe 56 ari, ndërsa nga dyshuarit janë sekuestruar veturë, para, dokumente dhe telefona celularë.
“Në kuadër të veprimeve hetimore të ndërmarra në këtë çështje, nga personat e dyshuar janë sekuestruar këto prova materiale: një (1) veturë në vlerë prej 50,000 deri në 60,000 euro; para në shumën prej 20,000.00 (njëzet mijë) euro; dokumente të ndryshme pronësore, të cilat dyshohen se janë të falsifikuara; si dhe katër (4) telefona celularë, të cilët do të shërbejnë si prova materiale në procedurën e mëtejshme hetimore”, thuhej në njoftimin e Prokurorisë.
