“Trepça” i jep tender Institutit serb që u dekorua nga Vuçiqi

Ndërmarrja “Trepça” ka dhënë një tender për “Monitorimin teknik të pellgut të mbetjeve me flotacion, për asgjësimin e mbetjeve pas përpunimit të mineraleve të plumbit dhe zinkut nga RIF Kopaonik në Leposaviq”. Me këtë kontratë u shpërblye një institut serb, i cili ishte vlerësuar lart nga Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Në njoftimin për kontratë bëhet e ditur se shuma që do të përfitojë instituti është 15 mijë euro.

Në anën tjetër, nuk janë dhënë detaje të tjera rreth asaj se çfarë përfshin saktësisht ky tender, shkruan Insajderi, përcjell Periskopi
Megjithatë, i njëjti institut kishte fituar një kontratë të ngjashme nga “Trepça” edhe në vitin 2024.
Kush është instituti serb që u shpërblye nga “Trepça”?
Decidivisht, emri i institutit është “Institut za rudarstvo i metalurgiju Bor”.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gjatë festës së shtetësisë në vitin 2023, i kishte dorëzuar këtij instituti një urdhër vlerësimi.
Ai e quajti institutin një nga “shtyllat e zhvillimit teknologjik të Serbisë” dhe një partner të rëndësishëm për investimet e huaja në sektorin minerar.


Përveç mbështetjes politike, ky institut gëzon edhe favore financiare, në vitin 2018, qeveria serbe ia kishte fshirë 276 milionë dinarë borxh tatimor.
Por, përkundër këtyre lidhjeve të ngushta me shtetin serb, Instituti për Minierë dhe Metalurgji vazhdon të përfitojë tenderë edhe në Kosovë.
Lidhur me këtë janë kërkuar sqarime nga ndërmarrja “Trepça” se pse u përzgjodh pikërisht ky institut me rol strategjik për Serbinë, mirëpo deri më tani nuk ka pranuar asnjë përgjigje.”
