Vjosa Osmani kërkon zgjedhjen e presidentit nga populli, dërgon për votim amendamentet

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka njoftuar se ka proceduar në Kuvend amendamente kushtetuese që parashohin zgjedhjen e drejtpërdrejtë të Presidentit nga qytetarët.
Përmes një postimi publik, Osmani ka bërë të ditur se iniciativa vjen pas dështimeve të njëpasnjëshme në zgjedhjen e Presidentit në Kuvend.
“Duke parë dështimet e njëpasnjëshme në zgjedhjen e Presidentes/it, sapo kam proceduar në Kuvend amendamentet kushtetuese për zgjedhje të drejtpërdrejta të Presidentes/it”, ka shkruar Osmani.
Ajo ka sqaruar se amendamentet në fjalë janë hartuar më herët nga Komisioni për amendamentimin e Kushtetutës, në vitin 2011.
“Këto amendamente kushtetuese ishin hartuar nga Komisioni për amendamentimin e Kushtetutës në vitin 2011”, ka theksuar presidentja.
Osmani u ka bërë thirrje të gjitha partive politike që t’i mbështesin këto ndryshime kushtetuese në Kuvend.
“I ftoj të gjitha partitë politike që të votojnë këto amendamente kushtetuese. Tash e tutje, le të flasë populli!”, ka deklaruar ajo.
