Albin Kurti është mizantrop politik

Shkruan: Ermal Mulosmani
Mizantropi politike
Rrugëtimi politik i Albin Kurtit gjatë vitit të fundit ka qenë mbresëlënës. Pas një shpërthimi euforie të pakuptimtë kur fitoi diku te 42 % të votave (shkurt 2025), e futi vendin në kolaps. Kundërshtarët e tij politikë, të fyer nga gjuha ekstremiste, e papranueshme e tij, ishin refuzues ndaj çdo propozimi.
Pritje, pezulli, huti. Asnjë politikan i Kosovës, me gjasë, nuk e dinte sesi do të dilej nga ajo pezulli. Opozitarët ishin të kënaqur, topi ishte në këmbët e Kurtit.
Kurti e kishte marrë shtruar. Ai ishte Kryeministër në detyrë, fundja. Po vazhdonte të qeveriste. Bënte ndonjë lëvizje të vogël, anemike, duke propozuar në mënyrë jokonsensuale Albulena Haxhiun për Kryetare të Parlamentit. E dinte mirë sesa ua cingërriste nervat opozitarëve emri i Albulenës. Një herë, dy, tri, katër.
Opozitarët kënaqeshin, më shumë kënaqej Albini. Kaloi vera, erdhi vjeshta. Albini e ndërroi kandidaten me një tjetër, edhe më konfliktuale. Opozita refuzoi sërish. Albini gëzohej. Pastaj propozoi një kandidat qesharak, një deputet fjalët e të cilit bëhen meme në Kosovë. Opozita ishte e çoroditur, çfarë të bënte?! Këtë herë arriti ta befasonte Kurtin, e votoi deputetin meme si Kryetar të Parlamentit!
Sigurisht ky ishte i vetmi moment që Opozita e kapi papregatitur Kurtin. Megjithatë ai nuk u dekurajua. Pa konsensus paraqiti Qeverinë e kryesuar prej tij i ndihmuar sërish nga kokëfortësia e Opozitarëve që mendonin se soliditeti i tyre po e dobësonte Kryeministrin.
Qeveria Kurti u rrëzua, opozitarët fërkuan duart, më shumë i fërkoi Albini. Duhej të shkohej në zgjedhje. Por ishte fund Tetori akoma, data 26. Nëse zgjedhjet bëheshin në afat kushtetues duhet të organizoheshin maksimumi në ditët e para të Dhjetorit.
Këtu futet në lojë kombinimi Albin-Vjosa. Si t’i shtyjmë zgjedhjet edhe dy-tri javë sa të mbërrijë oksigjeni elektoral i VV-së, emigrantët? Hidhet në lojë karta Glauk.
Presidentja e Kosovës i jep mandatin zotit Konjufca megjithëse asnjë shtysë të arsyeshme nuk kishte për atë mandat. Qartazi ishte për të shtyrë zgjedhjet. Ishte një bllof politik.
Opozita e hutuar tashmë nuke voton Qeverinë Konjufca!
Ky ishte gabimi më i madh politik i saj. Nëse e votonte zotin Konjufca dhe Qeverinë e tij, Opozita do të kishte dëshpëruar shumë zotin Kurti dhe do të mbante në këmbë një Qeveri të brishtë litarin e së cilës do e mbante Opozita. Ky do ishte një pozicion i favorshëm për të.
Në vend të saj Opozita zgjedh kokëfortësinë pa sens dhe ia rrëzon Qeverinë. Gjthçka shkon sipas planit të Kurtit.
Tani zoti Kurti ka marrë 487 mijë vota ose 51.1%. Opozita preku fundin historik. Fitorja është e plotë.
Ky është momenti më i mirë historik i Albinit. E arriti në sajë të viktimizimit, kartës fituese të padiskutueshme në terrenin shqiptar. Nëse arrin të bësh kundër të gjithë faktorët, me apo pa arsye, shqiptarët të bëjnë hero. Sepse ti je viktima, davidi, i paepuri, parimori, Robespieri.
Momenti më i mirë politik është edhe fillimi i rënies. Pas malores vjen disheza, tatëpjeta. Të rrish në majë duhet të jesh edhe më strateg sesa të ngjitesh. Të ndash pushtet, të sillesh mirë me kundërshtarin është një mënyrë për ta përballuar presionin. Por liderët tanë kanë bërë të kundërtën në përgjithësi. Në delirin e suksesit kanë dashur ta bëjnë fitoren totale. Jo vetëm ta mundin por edhe ta poshtërojnë kundërshtarin. Kurti duhej të shtrinte dorën tani që nuk kishte nevojë ta bënte. Për të demonstruar tolerancë, diplomaci, maturi. Kur kishte 42 deputetë ishte i detyruar ta bënte se e detyronte matematika. Ndërsa tani duhej ta bënte për të dhënë një sinjal tjetër, atë të bashkëpunimit. Edhe nëse do të refuzohej nga Opozita, përpjekja do të shënohej si moment reflektimi, pozitiviteti. Kredoja morale do të rritej. Koha politike është e vështirë, kryeneçësia e të voglit e kthen atë në qesharak.
E nëse nuk e bën për Qeverinë bashkëpunimin, bëje për institucionin ceremonial të Republikës, Presidentin e saj. Për atë institucion për të cilin gjithmonë evokohen burra/gra të mirë/a familjesh të mira. Për të cilin nuk kërkohen cilësi politike apo integritet por vetëm prejardhje. Vetë ky trajtim e denigron politikisht atë institucion.
Aty do të emërohet një vartës i Kryeministrit, në rastin më të mirë një njeri për të cilin do të vendosë Albini. Pa i pyetur opozitarët.
Kurti është një mizantrop politik. Një ngrehaluc që si fëmijë kopshti kërkon të gjuajë penalltinë e fituar sepse “topi është imi”. Le ta gjuajë atë penallti.
Kurti sillet sikur është Presidenti i Francës jo si Kryeministri i një vendthi që nuk e njeh gjysma e botës. Që ka forca ndërkombëtare që ia ruajnë kufirin. Por siç thotë një fjalë e urtë: Çdo ishulli i duket vetja si Kontinent. Edhe Guraçaos.
Opozita as duhet bërë palë e as duhet ta ndihmojë zgjidhjen e Presidentit.
Shpejt euforia do të bjerë dhe rrokullima do të nisë.
