IKD: KPK të shpallë konkursin për Kryeprokuror të Shtetit, qe katër vjet po funksionon me ushtrues detyre

IKD: KPK të shpallë konkursin për Kryeprokuror të Shtetit, qe katër vjet po funksionon me ushtrues detyre

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) i ka bërë thirrje Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) që në përputhje me kompetencat kushtetuese dhe ligjore të tij, të shpallë konkursin për Kryeprokuror të ri të Shtetit.

“Shpallja e këtij konkursi dhe zhvillimi i një procesi meritor do të ishte një sinjal adekuat i shenjave pozitive të reformës në KPK”, thotë IKD.

Kosova është pa Kryeprokuror të Shtetit që nga prilli i vitit 2022 dhe tash po bëhen katër vjet që kur Prokurori i Shtetit funksionon me u.d. të Kryeprokurorit të Shtetit. Më 17 tetor 2023, Presidentja e Republikës së Kosovës ka njoftuar se nuk e ka dekretuar kandidatin e propozuar nga KPK për Kryeprokuror të Shtetit, duke e kthyer këtë proces në KPK.

“Fatkeqësisht, që nga ajo kohë, KPK nuk ka vepruar në drejtim të zhvillimit të një procesi meritor dhe transparent për përzgjedhjen e kandidatit për Kryeprokuror të Shtetit. Mosveprimi i KPK për vite me radhë kishte shpërfaqur mënyrën korporatiste të veprimit brenda KPK. Tanimë kur KPK është funksionalizuar sipas reformës së re, ndër veprimet e para të saj duhet të jetë shpallja e konkursit për Kryeprokuror të Shtetit dhe zhvillimi i një procesi transparent dhe meritor, ashtu që emri i Kryeprokurorit të Shtetit të mos dalë nga një proces i kontestuar. Kjo kërkesë është dhënë edhe në raportin e fundit të Komisionit Evropian për Kosovën”, tha Instituti.

Për këtë arsye, IKD tha se i bën thirrje KPK që sa më parë që është e mundur të shpallë konkursin për Kryeprokuror të ri të Shtetit duke përmbushur këtë pozitë e cila ka mbetur vakante për afër 4 vjet.

“Në të kundërtën, vazhdimi i kësaj gjendjeje do të thellonte më tej zbrazëtinë institucionale në krye të Prokurorit të Shtetit dhe do të dëmtonte besimin publik në funksionimin e pavarur dhe efektiv të vetë KPK. Prandaj, KPK duhet të veprojë pa vonesë për të nisur dhe zhvilluar një proces të rregullt, transparent dhe meritor për përzgjedhjen e Kryeprokurorit të ri të Shtetit”./Periskopi/

# Lajme
# Sport
# Op-ed
# Video
# Zoya
# Showbiz
# Auto&Tech
# Shëndeti