Kadrijaj kritikon qeverinë: Zvarritja e zgjedhjes së presidentit ishte lojë për kapjen e shtetit

Kadrijaj kritikon qeverinë: Zvarritja e zgjedhjes së presidentit ishte lojë për kapjen e shtetit

Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, ka kritikuar qeverinë për moszgjedhjen e Presidentit, duke thënë se takimet që kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kryeministër, Albin Kurti, i bëri me dy kryetarët e partive opozitare, atë të PDK-së dhe LDK-së, ishin një lojë, që për qëllim kishin marrjen e pushtetit.

Kadrijaj komentoi edhe dekretin për shpërndarjen e Kuvendit që e nxori presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e që për Vetëvendosjen po konsiderohet të jetë antikushtetues.

“Domethënë ka qenë kjo lojë me pasë zvarritje të prezantimit të një kandidati ose kërkesat që kanë qenë e partive të tjera që të kemi një kandidat konsensual për votim dhe mospranim edhe ato ftesa që u bënë njëanshëm, qoftë me Bedri Hamzën apo me Abdixhikun, pa ditë ose pa pasë një emër të përcaktuar se për kënd po diskutohet dhe kush do të jetë një kandidat konsensual, kanë qenë krejt formale, kanë qenë formale, s’ka dashtë me bë zgjedhje, qëllimi është që me e marrë të gjithë pushtetin”, shtoi Kadrijaj në një intervistë për Ekonomia Online, transmeton Periskopi.

Deputetja komentoi edhe amendamentet kushtetuese për zgjedhje të drejtpërdrejta të presidentes/it nga populli.

“Në qoftë se do të shohim me ato amendamentet për ndryshimin kushtetues që presidenti me u zgjedh nga populli, ne të gjithë kemi ditë dhe kemi përvojë politike se është e pamundur sepse për çdo ndryshim në Kushtetutën e vendit kërkohen, përpos që duhen dy të tretat e votave të deputetëve, duhen edhe dy të tretat e votave të minoritetit serb, gjë që ne e kemi pa që ata as që kanë qenë fare prezentë”, tha Kadrijaj.

Kadrijaj e vlerësoi pozitivisht dekretin e shpallur të presidentes Osmani për shpërbërjen e Kuvendit.

“Mirë që presidentja veç e shpalli dekretin e shpërbërjes së Kuvendit edhe që vendi shumë shpejt duhet të shkojë në zgjedhje, përndryshe ishalla ka ndonjë mobilizim të popullit sepse një kryeministër tash, që i bie me qenë në detyrë, e zvarriti procesin e formimit të qeverisë për gati një vit, dhe tash tendenca e zvarritjes së tillë të konstituimit komplet apo të zgjedhjes së presidentit nuk ka kuptim”, tha Kadrijaj.

Tendenca për të fajësuar opozitën nga kryeministri nuk qëndron pasi që ky i fundit, sipas saj, e ka shumicën në Kuvend.

“Ajo loja e tij që t’i fajësojë partitë opozitare nuk qëndron sepse forcën e votës e ka Albin Kurti duke i pasur 67 vota bashkë me minoritetet jo-serbe dhe që ndoshta me një konsultim të rregullt ose me një konsultim të mirë me partitë opozitare, ka mund të arrijë me zgjedh jo një president politik, por një president konsensual, që ka mjaft figura të besueshme në Kosovë që ndoshta e kishin meritu me qenë president i Kosovës”, tha ajo.

Ndërkaq, deputetja e AAK-së tha se më herët ka pasur parti që kanë pasur më pak vota dhe e kanë zgjedhur presidentin me anë të konsensusit.

“Ka pasur parti politike që kanë pasur shumë më pak vota sesa që ka pasur Albin Kurti dhe kanë arritur me bë një farë lloj konsensusi edhe me u zgjedh presidenti. Domethënë, asnjëherë vendi nuk ka shku në zgjedhje për shkak të moszgjedhjes së presidentit sepse secili e ka pranuar një fakt, një realitet”, shtoi Kadrijaj./Periskopi

# Lajme
# Sport
# Op-ed
# Video
# Zoya
# Showbiz
# Auto&Tech
# Shëndeti