Federata Iraniane e Futbollit iu përgjigj ashpër Trumpit, ja çfarë thanë për paraqitjen e tyre në Kupën e Botës

Federata Iraniane e Futbollit iu përgjigj ashpër Trumpit, ja çfarë thanë për paraqitjen e tyre në Kupën e Botës

Federata e futbollit e Iranit ka thënë se askush nuk mund ta ndalojë ekipin e tyre kombëtar të luajë në Kupën e Botës, duke reaguar ndaj deklaratave të Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, i cili sugjeroi se lojtarëve iranianë mund të mos u lejohet të marrin pjesë në turne për shkak të shqetësimeve për sigurinë.

Në një postim në llogarinë zyrtare të ekipit kombëtar në Instagram, i njohur si Team Melli, u theksua se vendimi për të marrë pjesë në Kupën e Botës nuk mund të merret nga një individ apo ndonjë vend.

“Kupa e Botës është një ngjarje historike dhe ndërkombëtare, dhe i vetmi institucion që e drejton këtë garë është FIFA, jo një individ apo një vend”, thuhet fillimisht në deklaratë.

Federata Iraniane kujtoi gjithashtu se është ndër përfaqësueset e para që kualifikohet për Kupën e Botës falë rezultateve të mira dhe fitoreve.

Në mesazhin vijues, iranianët thirrën në mënyrë indirekte Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat janë një nga organizatorët e turneut.

“Është e sigurt se askush nuk mund ta përjashtojë ekipin kombëtar iranian nga Kupa e Botës. I vetmi vend që mund të ketë problem është ai që ka vetëm emrin ‘pritës’, por nuk është në gjendje të garantojë sigurinë e ekipeve pjesëmarrëse në këtë ngjarje globale”, thuhet në letrën e kampit iranian.

Ky reagim erdhi pasi Trump shkroi më herët gjatë ditës në rrjetet sociale se ekipi kombëtar iranian ishte i mirëpritur në turne, por se ai mendonte se pjesëmarrja e tyre mund të mos ishte e përshtatshme për sigurinë e tyre, raporton Telegrafi, transmeton Periskopi.

Vetëm një ditë më parë, presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, tha se Trump i premtoi atij gjatë bisedimeve në Uashington se ekipi kombëtar iranian do të pranohej në turne.

Sipas orarit të garës, Irani duhet të luajë ndeshjet e fazës së grupeve në tokën amerikane kundër përzgjedhjeve të Belgjikës, Egjiptit dhe Zelandës së Re. Dy ndeshje janë planifikuar në Los Angeles, një në Seattle, ndërsa baza e ekipit kombëtar iranian gjatë turneut duhet të jetë në Tucson. /Periskopi/

# Lajme
# Sport
# Op-ed
# Video
# Zoya
# Showbiz
# Auto&Tech
# Shëndeti