Ambasadorja amerikane largohet nga Moska

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Rusi, Lin Trejsi, është larguar zyrtarisht nga posti i saj diplomatik në Moskë, konfirmoi sot Ambasada Amerikane në një deklaratë për mediat. Ajo shërbeu gjatë një prej fazave më të vështira në marrëdhëniet dypalëshe mes Uashingtonit dhe Moskës, raportoi agjencia ndërkombëtare e lajmeve Reuters.
Trejsi ishte emëruar gjatë administratës së presidentit demokrat Joe Biden dhe përfundimi i mandatit të saj vjen në një moment kur Rusia dhe SHBA po shqyrtojnë mundësinë e një rifillimi të marrëdhënieve, të cilat u përkeqësuan ndjeshëm pas nisjes së luftës në Ukrainë në vitin 2022.
Pasardhësi i saj ende nuk është emëruar.
Gjatë mandatit të saj, ambasadorja Trejsi ka qenë e përfshirë në përpjekjet diplomatike për lirimin e shtetasve amerikanë të ndaluar në Rusi, përfshirë gazetarin Evan Gershkovich dhe ish-marinin Paul Whelan. Të dy u liruan në gusht të vitit 2024, si pjesë e një marrëveshjeje të gjerë shkëmbimi të të burgosurve mes vendeve të Perëndimit dhe Lindjes.
Në një zhvillim paralel, ish-presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se ekzistojnë mundësi për marrëveshje të mëdha investimesh mes Rusisë dhe SHBA-së, megjithatë shprehu zhgënjim për mungesën e përparimit konkret drejt një marrëveshjeje paqeje për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
Ndërkohë, autoritetet ruse theksojnë se Uashingtoni ende nuk ka treguar gatishmëri për të hequr barrierat që e pengojnë funksionimin e ambasadave në të dyja vendet./Periskopi/