Ambasada Gjermane: Vendimi i Kushtetueses thirrje e qartë për veprim, të bashkohen partitë politike për ta zgjidhur bllokimin

Ambasada Gjermane: Vendimi i Kushtetueses thirrje e qartë për veprim, të bashkohen partitë politike për ta zgjidhur bllokimin

‘’Mirëpresim vendimin e Gjykatës Kushtetuese si një thirrje të qartë dhe të arsyetuar për veprim’’ – kështu ka deklaruar Ambasada e Gjermanisë në Kosovë, pas vendimit të Kushtetueses për afat prej 30 ditësh për konstituimin e Kuvendit, raporton Periskopi.

Zana Rugova

Për të 38-tën herë, sot u mbajt seanca konstituive e Kuvendit, ku sërish përfundoi pa u zgjedhur kryekuvendari e as nënkryetarët.

Thirrja e Kushtetueses erdhi pasi që nga 15 prilli dhe deri më tani janë zhvilluar 38 vazhdime të seancës konstituive, por pa suksese.

Ambasada Gjermane në Kosovë, në një përgjigje për Periskopin, u shpreh se ju takon partive politke që të kenë unitet dhe të gjejnë kompromis për të zgjidhur bllokimin e Kuvendit.

‘’Vendimi nënvizon rëndësinë e respektimit të procedurave kushtetuese dhe përgjegjësive parlamentare, veçanërisht në një kohë kur funksionaliteti institucional është parësor.

Tani u takon anëtarëve të zgjedhur të Parlamentit të ngrihen në lartësinë e situatës dhe të bashkohen në një frymë përgjegjësie dhe kompromisi për të zgjidhur bllokimin aktual’’.

’Ne nënvizojmë nevojën që të gjitha palët të demonstrojnë vullnetin politik të nevojshëm për të përmbushur detyrimet e tyre kushtetuese dhe për të siguruar funksionimin e duhur të institucioneve demokratike’’, thuhet në përgjigje.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, pak para nisjes së seancës, shkroi në rrjetin social, Facebook, duke bërë thirrje të hapur për të gjithë krerët e partive politke, për një takim të mundshëm, të shtunën e 28 qershorit.

Këtë thirrje, Ambasada Gjermane e sheh si shenjë pozitive, derisa thonë se presin të ketë dialog konstruktiv.

‘’Ne mirëpresim iniciativën e Kryeministrit në detyrë për të thirrur një takim të të gjithë udhëheqësve të partive. Dialogu konstruktiv dhe angazhimi politik gjithëpërfshirës janë çelësi për të identifikuar një rrugë të qëndrueshme përpara që i shërben interesave të të gjithë qytetarëve të Kosovës.

Siç e ka përsëritur disa herë Ambasadori Gjerman: “Vendi i pari, politika partiake e dyta.”, përfundon përgjigja e ambasadës.

Seanca konstituive, e përbërjes së re parlamentare të dalë nga zgjedhjet e shkurtit, ka nisur më 15 prill dhe deri më tani janë zhvilluar 38 vazhdime të saj.

Partia e cila doli e para në zgjedhjet e 9 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje, nuk po arrin t’i siguroj votat e mjaftueshme për ta zgjedhur kryekuvendare, kandidaten e tyre, Albulena Haxhiu.

Derisa Kurti, sot bëri ftesë publike për partitë politike, PDK, LDK, AAK dhe NISMA i janë përgjigjur pozitivisht ftesës.

Ndërsa, seanca konstituive e radhës pritet të mbahet më 29 qershor, në ora 11:00./Periskopi/

# Lajme
# Sport
# Op-ed
# Video
# Zoya
# Showbiz
# Auto&Tech
# Shëndeti