Avokati i Popullit: Vendimi i ZRRE-së prek direkt qytetarët, vështirë me marrë vendime ku s’ka debat politik

Avokati i Popullit, Naim Qelaj, e cilësoi vendimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) për daljen e bizneseve në tregun e lirë të energjisë, si të nxituar dhe potencialisht problematik për të drejtat e qytetarëve dhe barazinë në trajtim.
Ai vuri në dukje se vendime të tilla, në rrethana kur institucionet janë të bllokuara dhe mungon debati parlamentar, cenojnë interesin publik dhe krijojnë pabarazi mes konsumatorëve.
“Edhe kjo është njësoj me gjithë procesin e zvarritjes së institucioneve, sepse qëndrimet tona dhe në analizën tonë të kësaj situate, ne kemi konsideruar që çdo vendim që prek të drejtat dhe interesin direkt të qytetarëve, në këto rrethana ku nuk mund të ketë debat publik në institucionin e Kuvendit të Kosovës, nuk mund të ketë ballafaqim të argumenteve dhe kundërargumenteve, është periudhë shumë e vështirë për të marrë vendime të tilla, çfarë i ka marrë ZRRE-ja, edhe pse e ka kryer punën e vet”, tha Qela.
Ai tha se Qeveria është dashur të ndërhyjë për të ofruar alternativa më të favorshme për qytetarët dhe bizneset, në vend të lënies së barrës vetëm mbi konsumatorët e tregut të lirë.
“Konsideroj që ka qenë nevojë që qeveria të ndërhyjë, të ofrojë zgjidhje të tjera që janë më të favorshme për qytetarët”, u shpreh ai.
Sipas Qelajt, përballja e vendimit të ZRRE-së në gjykata përbën një tjetër rrezik që mund të sjellë trajtim të pabarabartë dhe diskriminues mes konsumatorëve.
“Zgjidhja gjyqësore e rasteve konsideroj që mund të jetë problematike, sepse kjo pastaj seleksionon: disa mund të përfitojnë të mbesin në furnizim universal të energjisë, disa të tjerë jo dhe kjo pastaj mund të krijojë edhe situata diskriminuese”.
Avokati i Popullit konfirmoi se deri tani institucionit që ai drejton nuk i janë paraqitur ankesa.
“Ne nuk kemi pranuar ndonjë ankesë, nuk kemi parë në aktgjykimet ose aktvendimet e gjykatës. Konsideroj se këto janë raste individuale të vendosjes. Pra, vetëm për operatorët e caktuar ekonomikë është marrë vendimi për pezullim, jo pezullimi i tërësishëm i vendimit dhe kjo natyrisht nuk e detyron ose nuk e obligon ZRRE-në që automatikisht ta pezullojë, por që ndoshta i bën që të reflektojë dhe të shohë për të rishikuar atë vendim”, shtoi ai.
Qelaj theksoi se hyrja në fuqi e këtij vendimi në këto rrethana mund të jetë goditje e rëndë për bizneset, duke ndikuar drejtpërdrejt në vendet e punës dhe të drejtat ekonomike e sociale të qytetarëve.
“Hyrja në fuqi e këtij vendimi në këto rrethana mund të krijojë situata tepër të shumta të vështira për bizneset, t’i vendosë ato në një pozitë jo lehtë për të vazhduar aktivitetin e tyre ekonomik, që në mënyrë të drejtpërdrejtë do të ndikojë edhe te të punësuarit në këtë sektor dhe në humbjen e vendeve të punës, edhe në situata të tjera, të cilat cenojnë të drejtat e njeriut”, tha për EO, Qelaj./Periskopi/