Këshilli Shqiptaro-Amerikan kërkon themelim të institucioneve të Kosovës

Këshilli Shqiptaro-Amerikan kërkon themelim të institucioneve të Kosovës

Këshilli për Marrëdhënie Shqiptaro-Amerikane me seli në Uashington thotë se po ndjek me vëmendje zhvillimet politike në Kosovë dhe mbetet fuqimisht i përkushtuar për të mbështetur çdo përpjekje që forcon institucionet demokratike të vendit dhe pozitën ndërkombëtare të Republikës së Kosovës — veçanërisht partneritetin e saj të qëndrueshëm me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në një deklaratë të publikuar, Këshilli shpreh shqetësimin e thellë për bllokimin politik të vazhdueshëm dhe dështimin për konstituimin e Kuvendit sipas vullnetit të qytetarëve.

“Kjo paralizë institucionale është e pajustifikueshme. Ajo minon besimin publik, dobëson shtetin dhe e lë Kosovën të ekspozuar në një ambient global gjithnjë e më të paqëndrueshëm”, thuhet në deklaratë.

Këshilli përshëndet vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe vlerëson vullnetin e aktorëve politikë për ta pranuar atë si rrugëdalje legjitime.

“Kosova ka një traditë krenare të respektimit të shtetit ligjor dhe autoritetit kushtetues — ky moment kërkon të njëjtën përkushtim”.

Me këtë rast, Këshilli i bën thirrje të gjitha partitë parlamentare që të shkojnë në seancën e radhës me ndjenjën e urgjencës dhe unitetit, dhe të arrijnë marrëveshje për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit dhe formimin e qeverisë pa vonesa. “Vendi duhet të ecë përpara”, është mesazhi i prerë.

“Mbështetja e Shteteve të Bashkuara është thelbësore — por ajo kërkon qeverisje efektive dhe koordinim të vazhdueshëm. Institucionet e Kosovës duhet të tregojnë pjekuri dhe qartësi në këtë moment vendimtar”, vijon më tej reagimi.

Në fund, Këshilli për Marrëdhënie Shqiptaro-Amerikane rikonfirmon përkushtimin e tij për të shërbyer si një urë lidhëse mes Kosovës dhe SHBA-ve, dhe për të amplifikuar zërin e popullit dhe institucioneve të Republikës së Kosovës./Periskopi/

# Lajme
# Sport
# Op-ed
# Video
# Zoya
# Showbiz
# Auto&Tech
# Shëndeti