E thotë studimi: Errësira e dhomës mund të ndikojë në shëndet

Çdo ditë, sapo drita e diellit bie në sytë e njerëzve, trilionë “orë biologjike” rivendosen brenda qelizave njerëzore.
Trupi i njeriut përdor dritën për të rregulluar me saktësi shumë procese jetike: nga prodhimi i enzimave në mëlçi, te ndarja e qelizave të flokëve dhe ruajtja e tensionit të gjakut në nivele të shëndetshme. Kur njerëzit nuk marrin dritë sa duhet në kohën e duhur të ditës, shëndeti i tyre mund të përkeqësohet, ka shkruar TIMES.
Por, përveç përfitimeve, studiuesit po zbulojnë gjithnjë e më shumë se drita ka edhe anë të errët, sidomos gjatë natës.
Studime të ndryshme kanë treguar se ekspozimi ndaj dritës gjatë gjumit lidhet me probleme serioze shëndetësore.
Në vitin 2019, një studim gjeti lidhje mes obezitetit te gratë dhe dritës gjatë gjumit.
Një tjetër studim e lidhi dritën gjatë natës me tension të lartë të gjakut, obezitet dhe diabet te të moshuarit.
Ndërsa një studim i publikuar në muajin tetor të vitit 2025, që analizoi të dhënat e ekspozimit ndaj dritës përmes një pajisjeje monitoruese që vendoset në kyçin e dorës, të cilën e mbajtën rreth 90 mijë persona, ka zbuluar se drita e ambientit gjatë natës lidhej me rrezik më të lartë për dështim të zemrës dhe sëmundje të tjera kardiovaskulare gjatë rreth 10 vjetëve.
Ani pse këto studime nuk mund të provojnë drejtpërdrejt se drita është shkaku, ato tregojnë gjithnjë e më qartë se shëndeti i mirë kërkon net të errëta.
“Studimi i fundit u mbështet në bazën më të madhe të të dhënave për ekspozimin personal ndaj dritës, pjesë e UK Biobank”, ka shpjeguar Angus Burns, studiues në Harvard Medical School dhe autor i studimit.
UK Biobank përfshin të dhëna nga gjysmë milioni vullnetarë, shumë prej të cilëve kanë mbajtur pajisje monitoruese në kyçin e dorës për një javë.
Këto pajisje kishin edhe sensor drite.
“Kur e kuptova këtë, mendova se nëse arrinim t’i nxirrnim të dhënat, do të kishim një regjistër minutë pas minute të dritës që njerëzit përjetonin,” thotë Burns. Nxjerrja e të dhënave ishte e vështirë, por rezultati tregoi dallime të qarta mes ditës dhe natës.
Çka zbuluan studiuesit?
Kur njerëzit u ndanë në grupe sipas sasisë së dritës ndërmjet mesnatës dhe orës 6 të mëngjesit, u vu re se rreth gjysma flinin pothuajse në errësirë totale. Gjysma tjetër, megjithatë, ishte e ekspozuar ndaj dritës. Në 10 për qindëshin me ekspozimin më të lartë, niveli mesatar i dritës ishte rreth 100 luks (njësi për matjen e dritës), afërsisht sa një korridor hoteli i ndriçuar dobët.
Kjo mund të ndodhte sepse televizori kishte mbetur ndezur ose sepse personat qëndronin zgjuar deri vonë.
Krahasuar me ata që flinin në errësirë, personat që kishin net më të ndriçuara kishin më shumë gjasa të zhvillonin sëmundje të zemrës ose të pësonin infarkt në vitet në vijim. Sa më shumë dritë gjatë natës, aq më i lartë ishte rreziku. Personat në 10 për qindëshin më të ekspozuar kishin rrezik më të madh për fibrilacion atrial dhe sulm në tru.
Edhe pasi u morën parasysh faktorë si pesha trupore, diabeti i mundshëm dhe probleme të tjera shëndetësore, rreziku mbetej 30 deri në 60 për qind më i lartë, në varësi të sëmundjes. Kjo sugjeron se drita ka ndikim të drejtpërdrejtë.
“Nuk ishte thjesht çështje e gjumit të keq. Edhe pasi u përshtatëm për sasinë e gjumit, ekspozimi ndaj dritës mbeti një parashikues i fortë dhe i pavarur për sëmundjet e zemrës”, ka thënë Daniel Windred, bashkautor i studimit.
“Këto gjetje përputhen me studime të mëparshme. Studimi i UK Biobank e konfirmon këtë lidhje në një numër shumë më të madh njerëzish”, ka thënë doktoresha Phyllis Zee, profesoreshë e neurologjisë në Northwestern University.
Pse është e dëmshme drita gjatë natës?
Një nga arsyet mund të jetë ndërhyrja në orën biologjike, duke frenuar prodhimin e melatoninës, hormonit që dallon ditën nga nata. Edhe shkëndija të shkurtra drite mund ta ndalojnë prodhimin e saj.
“Nga pikëpamja evolutive, ne po marrim dritë gjatë natës shumë herë më të fortë se drita e hënës ose e zjarrit”, ka thënë Burns.
Ndërkohë, gjatë ditës, shumica e njerëzve kalojnë kohën brenda, duke marrë shumë më pak dritë natyrore sesa trupi ka nevojë.
Studiuesit zbuluan se ditët shumë të ndriçuara dhe netët shumë të errëta mund të mbrojnë nga problemet e zemrës.
Eksperimente laboratorike kanë treguar se personat që flenë me dritë të ambientit kanë rrahje më të larta të zemrës gjatë gjumit dhe metabolizëm më të ngarkuar ditën tjetër.
“Ishte sikur trupi të ishte në një gjendje të vazhdueshme alarmi”, ka shpjeguar Zee.
Ekspertët kanë sugjeruar masa të thjeshta si përdorimi i maskave për sytë, perdeve të errëta ose mbyllja e burimeve të dritës gjatë natës për të ulur ekspozimin.
“Ndriçimi elektrik është krejtësisht i panatyrshëm për biologjinë tonë. Në shkallën evolutive, është diçka shumë e re. Njeriu i lashtë nuk flinte në mesnatë i rrethuar nga drita. Me shumë gjasë, jo”, ka thënë Burns./Periskopi/
