Paparaci: Arrestohet për vjedhje milionëshe vëllai i këshilltares së Albulena Haxhiut

Një plaçkitje e sofistikuar ka ndodhur më 14 dhjetor në Oman. Në këtë plaçkitje siç raporton Paparaci është përfshirë vëllai i këshilltares së Albulena Haxhiut. Ai bashkë me një tjetër, dyshohet se kanë vjedhur bizhuteri në vlerë 2 milionë euro.
Vëllai i këshilltares së Albulena Haxhiut, Nazlie Balës, Avdush Bala ka qenë koka e një prej plaçkitjeve më të sofistikuara që ka ndodhur më 14 dhjetor të këtij viti.
Ai bashkë me një person tjetër kanë hyrë në Oman me viza turistike dhe kanë qëndruar në hotelin afër dyqaneve të bizhuterisë në zonën e njohur si Al Ghubrah. Balaj kishte pasaportë australiane.
Ata fillimisht e kanë kontrolluar zonën dhe kanë planifikuar plaçkitjen.
Rreth orës 4 të mëngjesit, ata dyshohet se kanë thyer murin e dyqanit me mjete të demolimit, duke vjedhur sasi të mëdha të bizhuterive. Ata pastaj kanë thyer me forcë kasafortën dhe kanë vjedhur para të gatshme.
Pas hetimeve të policisë, të dy të dyshuarit janë arrestuar. Autoritetet në Oman kanë sekuestruar edhe pajisjet që janë përdorur, të cilat ishin fshehur në një plazh në Siefa, pasi kanë udhëtuar me anije të marrë me qera.
Policia e Omanit ka konfirmuar edhe procedurat e tjera ligjore ndaj dy të dyshuarve.
Mirëpo nuk është hera e parë që familjarët e Nazlie Balës janë përfshirë në vepra penale.
Në shtator të vitit 2019, nipërit e ish-deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Nazlie Bala ishin arrestuar për prodhimin dhe shitjen e lëndëve narkotike.
Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë kishte zbuluar dy laboratorë të sofistikuar dhe kamufluar shumë mirë për përpunimin e lëndëve narkotike, me ç’rast kishin arrestuar katër persona të dyshuar, në mesin e tyre raportohej se ishin edhe djemtë e vëllait të ish-deputetes Bala.
Gazeta Insajderi kishte publikuar atë kohë një video ku shihej laboratori, të cilën raportohej se nipërit e Balës, kishin kultivuar e përpunuar drogë.
Njësitet e antidrogës në Policinë e Kosovës kishin arritur ta kapin këtë grup kriminal të fshehtë, që në vazhdimësi tentonte të krijonte kushte për laboratorë të tillë.
“Ndërsa në laboratorin e dytë ka qenë përgatitje për të rritur kapacitetin e bimëve të kanabisit. Me urdhër të prokurorit, katër persona janë arrestuar me iniciale N.D, A.M, A.B dhe F.B”, ishte thënë në një konferencë për media të Policisë së Kosovës.
