Brigitte Bardot nuk donte kurrë të bëhej nënë, e krahasoi shtatzëninë me një tumor

Brigitte Bardot, një nga ikonat më të mëdha franceze të kinemasë dhe modës, ka rrëfyer shpesh për shtatzëninë e saj dhe mungesën e dëshirës për të qenë nënë.
Në librin “Initiales BB” nga vitet 1990, Bardot e përshkroi përvojën e shtatzënisë me djalin e saj Nicolas-Jacques Charrier si një periudhë të dhimbshme dhe të padëshiruar, duke e krahasuar me “një tumor që rritet brenda saj”.
Aktorja deklaroi se periudha e shtatzënisë përtej aspektit fizik ishte një humbje e lirisë dhe kontrollit mbi jetën e saj.
Ajo nuk ndihej e përgatitur për të qenë nënë dhe më vonë vendosi të heqë dorë nga kujdestaria e djalit, e cila iu dha babait pas divorcit me Jacques Charrier.
Bardot e përshkroi veten si “plotësisht të paekuilibruar dhe të humbur në këtë botë të çmendur”, duke treguar sfidat emocionale dhe psikologjike që përjetoi gjatë kësaj periudhe.
Rrëfimi i saj nxiti polemika, madje duke çuar në një gjyq për shkelje privatësie nga ana e ish-bashkëshortit dhe djalit, të cilët kërkuan që pjesë të kujtimeve të saj të censuroheshin.
Megjithatë, Bardot mbajti besnikësinë e saj ndaj librit dhe eksperiencës personale, duke ndarë me publikun një nga pjesët më të dhimbshme të jetës së saj. /Telegrafi/
