Synimi për të marrë Grenlandën, Trump: Nëse ndikon në NATO, ndikon, por ata kanë nevojë më shumë për ne se ne për ata

Duke folur me gazetarët në bordin e Air Force One, Trump tha se në parim është i hapur për të bërë një marrëveshje për Grenlandën, por këmbënguli se “në një mënyrë apo në një tjetër, ne do ta kemi Grenlandën”, shkruan The Guardian.
“Nëse ne nuk e marrim Grenlandën, do ta marrin Rusia ose Kina, dhe unë nuk do ta lejoj që kjo të ndodhë,” tha ai, pavarësisht se nuk ka asnjë interes të dukshëm nga asnjëra prej këtyre dy vendeve.
I pyetur për ndikimin e mundshëm në NATO, Trump e minimizoi çështjen, duke thënë:
“Nëse ndikon te NATO, ndikon te NATO. Por, e dini, ata kanë nevojë për ne shumë më tepër sesa ne kemi nevojë për ta.”
Ai po ashtu pretendoi se e kishte “shpëtuar” aleancën duke ushtruar presion për rritjen e shpenzimeve për mbrojtjen dhe tha se po punonte për t’i dhënë fund pushtimit rus të Ukrainës.
Komentet e tij erdhën vetëm disa orë pasi kryeministrja daneze, Mette Frederiksen, paralajmëroi se Danimarka ndodhet në një “moment vendimtar” mes kërcënimeve të Trump-it për të marrë nën kontroll Grenlandën, duke akuzuar SHBA-në se mund të jetë duke i kthyer shpinën NATO-s.
“Ne jemi në një udhëkryq dhe ky është një moment vendimtar,” tha Frederiksen.
“Ajo që është në lojë është më e madhe sesa duket në shikim të parë, sepse nëse ajo që po përjetojmë nga amerikanët është se ata në të vërtetë po i kthejnë shpinën aleancës perëndimore, se po i kthejnë shpinën bashkëpunimit tonë në NATO duke kërcënuar një aleat – gjë që nuk e kemi përjetuar më parë – atëherë gjithçka do të ndalet.”, kishte deklaruar ajo.
