Njoftim nga KESCO për gjendjen aktuale të furnizimit me energji elektrike

Njoftim nga KESCO për gjendjen aktuale të furnizimit me energji elektrike

KESCO njofton konsumatorët se gjatë ditëve të fundit sistemi elektroenergjetik është duke u përballur me një situatë të jashtëzakonshme, si pasojë e rritjes së ndjeshme të konsumit të energjisë elektrike, e cila aktualisht nuk mund të mbulohet plotësisht nga prodhimi vendor.

Për shkak të kësaj rritjeje, KESCO është e detyruar të sigurojë rreth 50% të energjisë elektrike përmes importit, në kushte shumë të vështira të tregut rajonal dhe ndërkombëtar. Aktualisht, kapacitetet ndërkufitare janë të kufizuara dhe kjo po krijon presion të madh në sigurimin e sasive të nevojshme.

Furnizuesi ka vepruar dhe vazhdon të veprojë me përgjegjësi të plotë, duke ndërmarrë të gjitha përpjekjet e nevojshme për mbulimin e nominimeve të energjisë elektrike, si përmes kontratave bilaterale, ashtu edhe përmes tregtimit një ditë para dhe ofertave brenda-ditore. Megjithatë, për shkak të realitetit aktual të tregut dhe kufizimeve ndërkufitare, ku kufiri Kosovë–Serbi nuk është funksional në aspektin komercial, ndërsa kufijtë me Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut kanë kapacitete të kufizuara që nuk mjaftojnë për të mbuluar të gjithë kërkesën e vendit, sigurimi i energjisë elektrike sipas nevojës reale mbetet i vështirë.

Gjithashtu, duhet theksuar se tregu ALPEX, për shkak të likuiditetit të kufizuar në këto ditë me kërkesë të lartë, nuk ka ofruar sasi të mjaftueshme të energjisë elektrike, duke e bërë të pamundur mbulimin e plotë të nevojave vetëm përmes këtij mekanizmi tregtar.

Në këtë kontekst, KESCO ndien obligim të informojë me transparencë konsumatorët për situatën reale dhe arsyet objektive që kanë çuar në aplikimin e kufizimeve me energji elektrike sipas nevojës, me qëllim të ruajtjes së sigurisë dhe stabilitetit elektroenergjetik. KESCO mbetet e përkushtuar që, në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse, të bëjë çdo përpjekje për sigurimin e energjisë elektrike dhe për minimizimin e ndikimit te konsumatorët, duke i falënderuar ata për mirëkuptimin në këto rrethana të jashtëzakonshme.

# Lajme
# Sport
# Op-ed
# Video
# Zoya
# Showbiz
# Auto&Tech
# Shëndeti