FBK deklarohet për emërimin e Bekë Berishës si kryetar i Sigal Prishtinës

Federata e Basketbollit e Kosovës do të respektojë ligjin dhe do të bashkëpunojë me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit lidhur me zhvillimet te klubi Sigal Prishtina.
Të mërkurën Sigal Prishtina mbajti kuvend, ndërsa politikani Bekë Berisha u zgjodh kryetar. Por tifozët prishtinas “Plisat” kanë kundërshtuar dhe po kundërshtojnë zgjedhjen e tij. Berisha dhe ish-drejtuesit e klubit, Blerand Stavileci e Florian Miftari janë fyer nga “Plisat” të enjten në ndeshjen ndaj Golden Eagle Yllit. Ky tifo-grup vlerëson se Stavileci e Miftari janë drejtues “në hije” të klubit, ndërsa kanë kundërshtuar ata në forma të ndryshme proteste për muaj të tërë.
Zgjedhja e Berishës është përcjellë me reagime të shumta, ndërsa të premten është deklaruar edhe FBK-ja, me kërkesë të KOHËS.
Dhe respektimi i ligjeve është thelbësor për Federatën e Basketbollit.
MKRS-ja ka lënë të kuptohet se ligji është thyer me rastin e zgjedhjes së Berishës.
“Federata e Basketbollit e Kosovës dëshiron të theksojë se si institucion i pavarur sportiv, ne jemi të përkushtuar ndaj respektimit të plotë të legjislacionit të Republikës së Kosovës dhe standardeve të qeverisjes së mirë në sport. Në këtë drejtim, FBK-ja është duke ndjekur me kujdes të gjitha zhvillimet e raportuara dhe komunikimet e institucioneve relevante”, ka thënë sekretarja e përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku.
Ajo ka paralajmëruar bashkëpunim për këtë temë me ministrinë dhe palë të tjera.
“FBK-ja do të bashkëpunojë ngushtë me MKRS-në, Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit dhe me vetë klubin, për të siguruar që çdo proces të jetë në përputhje me kornizën ligjore dhe me rregullat që garantojnë integritetin sportiv. Çdo veprim i ndërmarrë nga ana jonë do të bazohet në vlerësime zyrtare, në kompetencat tona statutare dhe në parimin e transparencës. Si gjithmonë, prioritet mbetet funksionimi i rregullt i garave, respektimi i normave ligjore dhe mbrojtja e interesit të sportit të basketbollit në Kosovë”, ka shtuar Dushku.
MKRS-ja doli me qëndrim zyrtar të enjten, duke tërhequr vërejtjen për konflikt interesi me rastin e zgjedhjes së Bekë Berishës.
“Duke marrë parasysh se Berisha është deputet i zgjedhur i Kuvendit të Kosovës pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit 2025, MKRS-ja rikujton detyrimin e të gjitha palëve të përcaktimeve të Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit që parasheh që zyrtari i lartë, mund të jetë anëtar i organit drejtues të OJQ-ve nga fusha e sportit, por jo menaxher/ përfaqësues i autorizuar ose anëtar i ndonjë organi menaxhues apo mbikëqyrës i personave juridikë privatë, fitimprurës sipas ligjit përkatës për shoqëritë tregtare dhe bartës i funksionit drejtues, si dhe obligimin që çdo situatë e konfliktit të interesit të parandalohet e të zgjidhet brenda afatit prej 30 ditësh nga marrja e detyrës.Në këtë kontekst, MKRS-ja kërkon nga të gjitha palët që të kujdesen për zbatimin e ligjit konkretisht që Berisha, pas betimit dhe marrjes së detyrës në legjislaturën e re, t’i ndërmarrë masat e nevojshme brenda afateve ligjore për të shmangur çdo konflikt të interesit, në përputhje me ligjin në fuqi”, ka shkruar MKRS-ja.
Tifozët e Prishtinës e kanë vlerësuar të “turpshme” zgjedhjen e Bekë Berishës në krye të klubet. Ndër të tjera ata bënë që ndeshja e së enjtes me Yllin të ndërpritet për pak minuta.
“Plisat” morën përkrahje nga personalitete të ndryshme të lidhura me Prishtinën, ndër të tjera edhe nga kapiteni ikonik i skuadrës, Edmond Azemi.
